Miss Xhamajka mungon në konkursin e bukurisë Miss Universe 1 ditë pasi ra nga skena dhe u shtrua në spital
Miss Xhamajka, Gabrielle Henry, nuk u shfaq në natën finale të Miss Universe të enjten, më 20 nëntor, vetëm një ditë pasi u shtrua me urgjencë në spital pas një incidenti të rëndë gjatë garës paraprake. Përfaqësuesit e konkursit nuk dhanë detaje mbi gjendjen e saj, ndërsa shqetësimi për shëndetin e 28-vjeçares vazhdon të rritet.
Rënia e Henry-t ndodhi të mërkurën, më 19 nëntor, gjatë sfilimit me fustanin e mbrëmjes. Sipas videove të publikuara në rrjetet sociale, ajo po ecte me një fustan portokalli dhe taka të larta, kur humbi ekuilibrin dhe ra nga skena. Më pas, konkurrentja u largua me barelë, ndërsa stafi i konkursit ndërhyri menjëherë.
Pronari i Miss Universe, Raul Rocha, njoftoi në Instagram se kishte vizituar Henry-n në spital në Bangkok, duke konfirmuar se ajo nuk kishte pësuar fraktura dhe ishte nën kujdes mjekësor të specializuar. Edhe Organizata e Miss Universe Jamaica komunikoi se Henry u dërgua me urgjencë në Spitalin Paolo Rangsit dhe se mjekët po kryejnë ekzaminime të plota, ndonëse gjendja e saj nuk është kërcënuese për jetën.
Incidenti ndodh në një moment të tensionuar për konkursin Miss Universe, i cili këtë vit është përfshirë nga polemika të shumta. Vetëm një ditë më parë, gjyqtari Omar Harfouch u largua nga komiteti, duke akuzuar organizatën për krijimin e një “jurie të improvizuar” për përzgjedhjen e 30 finalisteve. Dy gjyqtarë të tjerë, përfshirë Claude Makélélé dhe Princeshën Camilla di Borbone, kanë dhënë dorëheqjen gjithashtu.
