Balina Bodinaku: Dy muaj nuk më foli burri kur pranova të isha opinioniste e BBVA
Ish-opinionistja e Big Brother VIP Albania, Balina Bodinaku, ka bërë një rrëfim në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, ku ka zbuluar se pjesëmarrja e saj në formatin e suksesshëm televiziv solli një periudhë të tensionuar në jetën private. Balina tregoi se bashkëshorti i saj, Andi, nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e saj për t’u bërë opinioniste në BBVA dhe se situata u përkeqësua deri në atë pikë sa për dy muaj rresht nuk i kishin folur njëri-tjetrit.
“Kur unë pranova të isha opinioniste e BBVA, Andi nuk ishte pro. Nja dy muaj nuk kemi folur. Nuk ishte betejë, ishte kokëfortësi, thjesht kokëfortësi,” rrëfeu Balina.
Ajo sqaroi se nuk ka pasur grindje të madhe mes tyre, por një ngërç të krijuar nga vendosmëria e të dyve për të qëndruar në qëndrimet e tyre. Situata, sipas saj, ishte më shumë një përplasje karakteresh sesa një konflikt i vërtetë. Balina shtoi se ajo periudhë për të ishte e mbushur me sfida, sidomos pasi u desh të përballej me BBVA menjëherë pas një periudhe të vështirë shëndetësore.
“Ajo periudhë për mua ka qenë: dil nga spitali dhe shko në BBVA. Ishte e vështirë, një eksperiencë shumë interesante. Pjesën më të madhe as nuk i kisha parë ndonjëherë. Ishte diçka që nuk i thoja dot jo,” u shpreh ajo.
Sipas Balinës, emocionet dhe ngarkesa e edicionit të parë të BBVA ndihej te të gjithë pjesëmarrësit e stafit.
