Sun, Nov 23, 2025

Dita e provës për Esat Malën, me “Demat” për të thyer thatësirën

Dita e provës për Esat Malën, me “Demat” për të thyer thatësirën
  • PublishedNovember 23, 2025

Ka qenë absolutisht një ndër futbollistët më të spikatur jo vetëm tek Vllaznia, por në mbarë Superioren gjatë 5-6 sezoneve të fundit.

Duke shkëlqyer me performancat e tij e duke u konsideruar si një prej më të mirëve në kampionatin shqiptar. Fjala është për Esat Malën, mesfushorin nga Prizreni i cili në vendin tonë pasi u bë i njohur me Partizanin, ku edhe fitoi titullin kampion në sezonin 2018-19, tashmë prej 4 edicionesh radhazi është pjesë e Vllaznisë.

Me kuqeblutë Mala ka qenë një ndër futbollistët kryesorë të skuadrës, ku sezoni 2024-25 ishte edhe më i miri në karrierë për mesfushorin i cili shënoi 7 gola dhe asistoi 13 të tjerë me fanellën e shkodranëve. E pikërisht tek Vllaznia duan rikthimin në atë nivel të shtatshkurtrit, i cili këtë edicion deri më tani ka shënuar vetëm një gol. I ardhur në takimin e javës së katërt kundër Teutës, ku kuqeblutë ndanë pikët në një barazim 1-1 në “Niko Dovana” të Durrësit.

Ku 27-vjeçari këtë sezon ende nuk ka asistuar asnjë gol për shokët e skuadrës pas 11 javësh, por për të qenë të saktë, kosovari ka ndërruar shpesh pozicion në fushën e lojës. Që ka ndikuar në statistikat e tij personale, por jo në nivelin e lojës së paraqitur në fushën e lojës. Ku tek Vllaznia kanë një vlerësim të jashtëzakonshëm për kontributin e Malës.

E ndaj Partizanit, nën petkun e “ish-it” të madh të sfidës, te kuqeblutë presin po të njëjtin niveli nga Mala e po ashtu golin, për t’i dhënë fund një “thatësire” disa javore nga ana e numrit “20-t” të skuadrës shkodrane.