Tue, Nov 25, 2025

Champions League/ “Përplasje titanësh” në Londër, Arsenal-Bayern para provës të së vërtetës

Champions League/ “Përplasje titanësh” në Londër, Arsenal-Bayern para provës të së vërtetës
  • PublishedNovember 25, 2025

Arsenal-Bayern do të jetë padyshim kryesfida e javës së 5 të fazes së Ligës në UEFA Champions League këtë mesjavë. Një përplasje që vë përballë dy skuadrat më të forta të momentit, me Arsenal dhe Bayern që po dominojnë respektivisht kampionatet e tyre në Angli dhe Gjermani.

Bayerni po dominon Bundesligën me vetëm dy pikë të humbura këtë sezon, por sfida në Champions League ndaj Arsenalit është testi i parë i vërtetë për skuadrën e Vincent Kompany-t. Bavarezët kanë treguar forcë në ndeshjet e mëdha: fituan pastër ndaj Chelseat dhe morën një triumf të rëndësishëm ndaj kampionëve të Europës, PSG-së.

Nën drejtimin e Kompany-t, Bayerni është bërë më i ekuilibruar. Mbrojtja e lartë vazhdon të jetë një rrezik i llogaritur, por skuadra nuk është më kaotike si sezonin e kaluar. Upamecano po kalon periudhën më të mirë të karrierës, Laimer po shkëlqen në krahun e djathtë, ndërsa Joshua Kimmich është ringjallur pas vështirësive nën drejtimin e Tuchel.

Forca e madhe e Bayernit mbetet sulmi. Michael Olise po shkëlqen që nga ardhja nga Crystal Palace, ndërsa dueli i tij me Ebere Eze pritet të jetë një ndër momentet më interesante të takimit. Luis Diaz mungon për shkak kartoni të kuq, por Serge Gnabry mund të rikthehet pikërisht kundër ish-skuadrës së tij. Ndërkohë, 17-vjeçari Lennart Karl po konfirmohet si një talent premtues.

Dhe natyrisht, lideri i sulmit është Harry Kane, në formë të jashtëzakonshme: 26 gola në 19 ndeshje këtë sezon dhe 109 gola në 114 paraqitje me Bayernin. Bavarezët udhëtojnë në Londër për të treguar se dominimi në Gjermani mund të përkthehet edhe ndaj një kundërshtari të nivelit të lartë si Arsenali.