Dasma me 6.7 milionë njerëz në Indi/ Shfaqja e Lopez, torta e famshme 5 metra e lartë dhe të ftuarit e zgjedhur
Një dasmë madhështore, që tashmë ka bërë xhiron e botës, u zhvillua në qytetin piktoresk të Udaipur në Indi, ku miliarderi Vamsi Ganhirju dhe Netra Madena – vajza e Rama Raju Madena, një figure të njohur në industrinë farmaceutike kurorëzuan dashurinë e tyre në një ceremoni që rivalizon edhe skenat e filmave të Bollywood-it.
Dasma, e mbajtur në një nga pallatet më të famshme të rajonit, i cili njihet edhe si skenografia e filmit të James Bond “Octopussy” (1983), u shndërrua në një spektakël të vërtetë luksi. Sipas “Daily Mail”, kostoja totale kap shifrën e rreth 6.7 milionë dollarëve, një detaj që ka shkaktuar debat të fortë midis banorëve vendas, të cilët kritikojnë shpenzimet marramendëse në një vend ku kontrastet ekonomike janë të theksuara.
Pallati i ndriçuar, dekorimet ekstravagante dhe një tortë gjigante 4.5 metra e lartë e dizajnuar në formën e një pallati ishin vetëm disa prej elementëve që e kthyen festën në një event të paprecedentë. Nëpër rrjetet sociale janë shpërndarë foto dhe video që tregojnë çdo detaj, nga zbukurimet mbresëlënëse te performancat e artistëve botërorë.
E veçanta e kësaj nate ishte prania e yllit ndërkombëtar Jennifer Lopez, e cila performoi hitet e saj të njohura si “Waiting for Tonight” dhe “Get Right”. Këngëtarja, e veshur me krijime të Elie Saab – të njëjtin stilist që kishte veshur edhe nusen “ndezu” skenën mes duartrokitjeve të të ftuarve. Në festë ishte i pranishëm edhe DJ Tiësto, i cili kujdesi për atmosferën e muzikës dhe ndau momente ekskluzive në llogaritë e tij në rrjetet sociale.
Lista e të ftuarve ishte po aq impresionuese: ndër ta, Donald Trump Jr. i shoqëruar nga e dashura e tij Bettina Anderson, së bashku me personalitete të tjera të botës së biznesit dhe politikës.
Megjithëse dasma u vlerësua për shkëlqimin dhe organizimin perfekt, ajo ndezi edhe diskutime për pabarazinë ekonomike dhe shpenzimet e tepruara. Por pa dyshim, mbetet një nga eventet më të komentuara të vitit një përzierje e luksit ekstrem, traditës indiane dhe spektaklit global.
