Tue, Nov 25, 2025

“Rënia e një gjigandi”/ Si përfundoi Kevin Spacey duke shëtitur vetëm me një valixhe

“Rënia e një gjigandi”/ Si përfundoi Kevin Spacey duke shëtitur vetëm me një valixhe
  • PublishedNovember 25, 2025

Për më shumë se 20 vite, Kevin Spacey ishte një nga aktorët më të vlerësuar të Hollywood-it. Me dy çmime Oscar dhe role ikonike në filmat më të rëndësishëm të kinemasë moderne, ai konsiderohej një nga emrat që përcaktonin standardin e aktrimit. Por ashtu si ngritja e tij ishte spektakolare, edhe rënia rezultoi dramatike dhe e menjëhershme.

Në vitin 2017, në kulmin e suksesit të serialit “House of Cards”, emri i Spacey shpërtheu në qendër të lëvizjes #MeToo. Një seri akuzash për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmim seksual e transformuan aktorin nga protagonist i vlerësuar në personazh të padëshiruar për Hollywood-in.

Reagimi i industrisë ishte i ashpër:

  • Netflix ndërpreu menjëherë bashkëpunimin me të;
  • projektet filmike u rimontuan për të hequr skenat e tij;
  • rolet e ardhshme u anullluan pa hezitim.

Edhe pse Spacey më vonë u lirua nga akuzat kryesore (në Nju Jork në vitin 2022 dhe në Londër në 2023), dëmi ndaj imazhit të tij publik ishte bërë tashmë i pakthyeshëm. Për më tepër, një vendim gjykate e detyroi aktorin të paguante rreth 31 milionë dollarë producentëve të House of Cards për shkelje të kontratës një goditje e rëndë që ndikoi ndjeshëm në gjendjen e tij financiare.

Siç ndodh shpesh në Hollywood, largimi i tij u bë në heshtje, por pa kaluar pa u vënë re. Aktori i dikurshëm i tapetit të kuq u zhvendos drejt skenave më të vogla në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Në Limasol prezantoi shfaqjen “Songs & Stories”, një performance muzikore-teatrale larg botës së filmave ku ai dikur sundonte.

Nuk bëhej më fjalë për role kryesore, por për një aktor që përpiqej të rimerrte terren, në një udhëtim artistik shumë larg karrierës madhështore që kishte ndërtuar.

Pak ditë më parë, Spacey u rikthye sërish në qendër të mediave, por këtë herë jo për një rol të ri. Në një intervistë për The Telegraph, ai tha se “fjalë për fjalë nuk ka shtëpi”, se jeton mes hoteleve, Airbnb-ve, dhe se sendet e tij janë të shpërndara në depo.

“Unë shkoj aty ku ka punë,” tha ai, një frazë që e përshkruan më qartë se çdo analizë hendekun mes lavdisë së dikurshme dhe realitetit të sotëm.

Pas reagimeve të shumta, Spacey publikoi një video në Instagram për të sqaruar situatën:

“Në dritën e raportimeve të fundit që pretendojnë se jam i pastrehë, ndiej nevojën të përgjigjem. Jo shtypit, por mijëra njerëzve që më kanë kontaktuar për të më ofruar një vend për të qëndruar.”

Ai u shpreh i prekur nga mbështetja e publikut, por theksoi se situata e tij nuk duhet keqinterpretuar:

“Do të ishte mashtruese t’ju lija të mendonit se jam vërtet i pastrehë në kuptimin e përditshëm të fjalës.”

Ajo që po përjeton, sipas tij, është një jetë në lëvizje të vazhdueshme, e diktuar nga mungesa e projekteve të qëndrueshme.