Wed, Nov 26, 2025

‘Nuk mund të na mbyllin gojën’: Banorët e Zall Gjoçajt protestojnë para gjykatës

‘Nuk mund të na mbyllin gojën’: Banorët e Zall Gjoçajt protestojnë para gjykatës
  • PublishedNovember 26, 2025

Banorë dhe aktivistë të fshatrave Zall-Gjoçaj në Mat dhe Lufaj në Mirditë protestuan të mërkurën para Gjykatës së Lezhës, në mbështetje të tre protestuesve që janë paditur për shpifje nga kompania “Seka Hydropower”, e cila po ndërton një hidrocentral në këtë zonë.

Banorët vendosën në shenjë simbolike një shirit të zi mbi megafon, duke e konsideruar padinë si përpjekje për t’u mbyllur gojën. “Fjala e lirë nuk është krim!,” ishte mesazhi i banorëve të Zall Gjoçajt e shfaqur në një banderolë.

Dhimitër Koleci, njëri prej banorëve të paditur, i tha BIRN se ndërsa kallëzimet e banorëve ndaj kompanisë private flenë prej vitesh në sirtrarët e prokurorive, paditë e kompanisë ndaj tyre kanë vënë menjëherë në lëvizje institucionet e drejtësisë.

“Ne nuk e kemi prishur imazhin e firmës, por ajo e ka prishur vetë që në fillimin e punimeve, duke shkatërruar një park kombëtar,” tha Koleci.

“Ky është një presion i hapur i firmës që aktivistët dhe banorët të mbyllin gojën, të mos flasin dhe të mos bëjnë protesta,” shtoi më tej ai.

Padi të tilla klasifikohen kryesisht si SLAPP – padi strategjike kundër pjesmarrjes publike me qëllimin për të heshtur kritikët përmes frikësimit dhe gjobave financiare. Prej vitit të kaluar, Bashkimi Europian ka miratuar një rregullore të re kundër padive SLAPP, duke i konsideruar ato si padi abuzive.

Sipas Flutura Kusarit, juriste e së drejtës së medias, padia ndaj protestuesve të Zall Gjoçajt është një padi e pabazë që ka për qëllim të frikësojë personat që kanë ngritur zërin e tyre përmes protestave.

“Shprehjet e tyre janë shprehje e vlerësimeve të tyre për dëmet që i janë shkaktuar ambientit nga hidrocentralet dhe e drejta e lirisë së shprehjes ua garanton mundësinë që të protestojnë dhe të shprehin mendimet e tyre,” tha Kusari për BIRN.

“Padia është një mesazh për të gjithë ata që duan të ngrenë zërin. Unë shpresoj që Gjykata në Lezhë do ta hedhë poshtë këtë padi,” shtoi ajo.

Edhe banorët protestues e konsiderojnë padinë si formë presioni, ndërkohë që kërkojnë një trajtim të drejtë nga gjykata.

“Ne kërkojmë drejtësi të barabartë, siç e ka Kushtetuta, pasi paditë tona flenë gjumë në sirtarët e prokurorisë dhe gjykatave. Ajo kompani na ka marrë ujin dhe ka shkatërruar gjithçka. Nuk mund të na mbyllin gojën dhe ne do e ndjekim këtë çështje deri në vdekje, pasi vërtet është bërë një masakër në atë zone,” tha Adem Xhokola, një tjetër banor i paditur nga kompania.

Gjatë protestës përpara Gjykatës së Lezhës, banorët protestues u ankuan se punimet për ndërtimin e HEC-it e kanë bërë zonën pothuajse të pabanueshme.

“Kam kaluar një jetë të tërë aty dhe ai vend është shumë i mrekullueshem, por HEC-et e kanë shkatërruar totalisht. Na ka shkaktuar pasoja të tmerrshme, pasi në vere nuk ka pikë uji. Kanë dedraguar bujqësia dhe blegtoria,” tha një banore e fshatit Lufaj.

Banorët e fshatit Zall Gjoçaj po zhvillojnë një betejë disavjeçare për bllokimin e punimeve të hidrocentralit, që sipas tyre kërcënon parkun kombëtar dhe jetën e komunitetit.

Kompania “Seka Hydropower” u kundërpërgjigj së fundmi me një padi kundër Dhimitër Kolecit, Adem Xhokolës dhe Jorgji Locajt duke pretenduar se me deklaratat e tyre publike ata kanë shpifur, fyer dhe dëmtuar imazhin e kompanisë.

Seanca gjyësore e kësaj të mërkure dështoi të pajtonte palët, ndërsa çështja kaloi për gjykim me seancën e parë të planifikuar më 15 dhjetor 2025.