Pas vdekjes së papritur të këngëtarit Shpat Kasapi, reagon ekipi menaxherial
Lajmi tronditës për ndarjen e menjëhershme nga jeta të këngëtarit shumë të dashur për publikun, Shpat Kasapi, ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin artistik dhe te fansat e tij. Menjëherë pas konfirmimit të ngjarjes tragjike, reagimi i parë zyrtar ka ardhur nga ekipi menaxherial i artistit, i cili ka ndarë një postim prekës në llogarinë zyrtare të këngëtarit në Instagram.
Në njoftim, menaxhmenti shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e Shpatit, duke e cilësuar atë një goditje të rëndë për miqtë, familjen dhe publikun e gjerë. Në deklaratë thuhet se së shpejti do të bëhen publike detajet e ceremonisë së varrimit dhe procedurave që po ndjek familja në këtë moment të vështirë.
“Humbja e Shpatit është një dhimbje e madhe për të gjithë ne. Së shpejti do t’ju informojmë me të gjitha detajet lidhur me ceremoninë e varrimit. Me respekt, Menaxhmenti i Shpatit”, shkruhet ndër të tjera në reagimin zyrtar.
![]()
Ndërkohë, për këtë ngjarje të rëndë ka folur edhe vëllai i këngëtarit, Albini, i cili është shprehur thellësisht i tronditur. Ai ka treguar se ndihma e parë mjekësore i është dhënë Shpatit në banesë në Itali, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas Albinit, paraprakisht dyshohet se këngëtari ka ndërruar jetë si pasojë e një arrestit kardiak, ndërsa ndonëse Shpati kishte pasur disa shqetësime të vogla në zemër, asgjë nuk kishte paralajmëruar një rrezik kaq serioz.
“Shpresonim deri në momentin e fundit që lajmi të mos ishte i vërtetë”, tha ai, duke shtuar se vdekja u konfirmua nga autoritetet italiane.
Trupi i këngëtarit ndodhet aktualisht në Itali dhe pritet që në ditët në vijim të kryhen të gjitha procedurat për transportimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut, ku familjarët dhe të afërmit do të mund t’i japin lamtumirën e fundit.
