Izraeli mund të marrë pjesë! Katër vende bojkotojnë Eurovision 2026
Festivali i Këngës në Eurovision, ngjarja më e madhe muzikore evropiane që synon të bashkojë kontinentin përmes artit, po përballet me një krizë të pashembullt politike dhe institucionale. Edicioni i 70-të, i planifikuar të mbahet në maj në Vjenë, është tronditur nga vendimi i Spanjës dhe Holandës për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në vitin 2026, vendim që në orët në vijim u ndoq edhe nga Irlanda dhe Sllovenia.
Tërheqjet erdhën pasi Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) votoi që Izraeli të marrë pjesë në konkurs, pavarësisht kundërshtimeve të forta lidhur me rolin e tij në luftën në Gaza dhe akuzave për manipulim të votave në edicionin e kaluar. EBU u mblodh për të diskutuar pikërisht këto shqetësime, por pas vendimit final për pjesëmarrjen e Izraelit, dy transmetues publikë RTVE i Spanjës dhe AVROTROS i Holandës njoftuan largimin e menjëhershëm.
Drejtori i AVROTROS, Taco Zimmerman, reagoi ashpër duke deklaruar se ky konkurs “nuk është më në përputhje me përgjegjësinë morale të një transmetuesi publik”. Ai shtoi se vlerat universale si humanizmi dhe liria e shtypit janë shkelur në mënyrë të papranueshme.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i RTVE-së, Alfonso Morales, tha se vendimi i EBU për të mbështetur pjesëmarrjen izraelite ka ngritur “dyshime serioze” që e bëjnë të pamundur vazhdimin e Spanjës në festival.
Akuzat për manipulim votash dhe tensionet politike
Konflikti i armatosur në Gaza ka përshkallëzuar tensionet në Eurovision për dy vite rresht. Kritikët argumentojnë se Izraeli nuk duhet të marrë pjesë në një format që promovon paqen dhe bashkimin, ndërsa akuzat për manipulim të votimit të vitit 2025 të cilat EBU i pranoi duke miratuar rregulla më të forta transparence — e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Ndërkohë, pjesëmarrja e vendit hebre mbështetet nga Austria, organizatorja e edicionit 2026, dhe thuhet se edhe nga Gjermania, duke nxjerrë në pah një përçarje të thellë brenda botës së transmetimit publik evropian.
