Thu, Dec 4, 2025

Mbappe dhuron spektakël, “gjeli” realizon “dopietë” ndaj Bilbaos, feston Alonso: Ishte jetike

Mbappe dhuron spektakël, “gjeli” realizon “dopietë” ndaj Bilbaos, feston Alonso: Ishte jetike
  • PublishedDecember 4, 2025

Real Madrid nuk lejon Barçën të “arratiset”, del me 3 pikë nga “San Mames” pas suksesit 0-3, një fitore e madh që erdhi në momentin më kritik, në një kohë kur ekipi i Alonsos kishte 3 javë që nuk fitonte në La Liga. Reali i falet edhe një herë një super Kylian Mbappe, me “bomberin” francez që dhuroi spektakël duke realizuar një “dopietë” shumë të bukur.

7 minuta lojë i mjaftuan “gjelit” më të famshëm për të shënuar golin e parë. Një aksion personal, i ideuar dhe finalizuar po vetë me shumë klas. Bëri pjesën e tij në këtë takim edhe portieri Courtois, me belgun që mbajti në lojë avantazhin e Realit me një super pritje në minutën e 30-të. Në fundin e pjesës së parë, në minutën e 42-të, Mbappe dhuroi një asist të pastër me kokë për Camavinga-n me këtë të fundit që e kishte të lehtë të devijonte topin në portën e boshatisur.

Në fraksionin e dytë, ishte sërish Mbappe që me një goditje të fortë nga distanca kompletoi “dopietën” e tij personale dhe golin e tretë për Realin. Ky ishte goli i 16-të këtë sezon për Mbappe, plus 4 asiste, shifra me të vërtetë fantastike. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Realin që ngushton diferencën në vetëm një pikë me Barcelonën kryesuese.

Buzëqesh më në fund edhe Xabi Alonso, për teknikun e Real Madrid ky sukses ishte thelbësor pas një ecurie jo pozitive: “Ishte një ndeshje e rëndësishme pasi kërkonim me çdo kusht të thyenim ecurinë negative. Ekipi zhvilloi një ndeshje shumë kompakte. Kylian Mbappe? Po kalon një moment optimal, ka një bashkëpunim shumë të mirë me Vinicius”, u shpreh Alonso.