Fri, Dec 5, 2025

Përse heqin dorë gratë nga mandati në këshillin bashkiak? Shpesh, për t’ua lënë vendin burrave

Përse heqin dorë gratë nga mandati në këshillin bashkiak? Shpesh, për t’ua lënë vendin burrave
  • PublishedDecember 5, 2025

Këtë verë që lamë pas, përveç zjarreve, aksidenteve dhe aksioneve të qeverisë, një tjetër lajm dominoi në mediat shqiptare: përplasja mes drejtuesve politikë brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet.”  E cilësuar edhe si “telenovelë verore” (Top Channel, 2025), përplasja nxori në pah një të vërtetë të hidhur: drejtuesit e partive politike popullojnë listat në bazë të lidhjeve familjare e fisnore—një strategji e mirëmenduar që i ndihmon të forcojnë pushtetin politik. Familja dhe fisi vihen në shërbim të këtij objektivi.

Por mobilizimi i lidhjeve familjare e fisnore nuk kufizohet vetëm te partitë pjesë e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet.” Në fakt, praktika përdoret masivisht. Lidhjet familjare e fisnore përdoren për të mbushur listat, e për t’i zbrazur po ashtu. Manovrat janë të njëpasnjëshme: kandidimet fiktive ndiqen nga dorëheqje masive, derisa drejtuesit i afrohen objektivit të tyre. Ndërkohë që si rezultat i manovrave cilësia e përfaqësimit në vend mbetet e dobët—dhe kostot padyshim i paguan elektorati shqiptar—manovrat duket të targetojnë veçanërisht gratë, dhe këtë mund ta themi me siguri për këshillat bashkiake, të cilat i studiuam këtë vit.

Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023, gazetarët sinjalizuan raste të shumta dorëheqjesh të kandidateve (shih Barjamemaj, 2024; Konomi, 2023). Në disa raste, dorëheqjet u dhanë menjëherë pas zgjedhjeve—pa siguruar mandat—dhe në raste të tjera pas marrjes së mandatit. Artikujt lanë të kuptohej se dorëheqjet ishin bërë nën presion, ndër të tjera, dhe se kandidatet e dorëhequra hezitonin të ndanin informacion.

Këtë vit, së bashku me Rrjetin e Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) dhe me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert, e pamë problemin nga afër. Përdorëm një numër burimesh—zyrtare dhe jozyrtare. E nisëm me KQZ-në, për të vazhduar me faqet zyrtare të bashkive—ku janë të integruara faqet e këshillave bashkiake—dhe më tej me kërkesa zyrtare drejtuar këshillave bashkiake dhe partive politike. Më tej, ngritëm një grup lokal pune që grumbulloi të dhëna rreth karakteristikave të kandidateve si dhe realizuam disa intervista. Shumëllojshmëria e metodave iu përgjigj mungesës së informacionit zyrtar, por edhe vështirësisë së studimit të fenomenit, i cili ndodh në prapaskenë.

Sipas të dhënave të raportuara drejtpërdrejtë nga KQZ-ja, kërkimeve në faqen zyrtare të KQZ-së si dhe në faqet zyrtare të bashkive/këshillave, gjatë periudhës maj 2023 – dhjetor 2024 janë dhënë 286 dorëheqje. Konkretisht, 78.67% e dorëheqjeve (n = 225) janë dhënë nga gratë dhe 21.33% e dorëheqjeve (n = 61) janë dhënë nga burrat. Dorëheqjet u evidentuan në 41 këshilla. Dorëheqjet e grave, krahasuar me dorëheqjet e burrave, janë përqendruar në një numër më të vogël këshillash: 225 gra e kanë dhënë dorëheqjen në 27 këshilla, ndërkohë që 61 burra e kanë dhënë dorëheqjen në 32 këshilla. Nga 225 kandidatet që kanë dhënë dorëheqjen midis periudhës maj 2023 – dhjetor 2024, 76.89% (n = 173) e kanë bërë këtë pa e marrë mandatin, dhe dorëheqjet janë dhënë në bllok. Me fjalë të tjera, disa kandidate e kanë dhënë dorëheqjen në të njëjtën kohë. Tek ky grup do e zhvendosim vëmendjen më poshtë.

Dorëheqje masive të kandidateve—përpara marrjes së mandatit—u evidentuan në 10 këshilla bashkiake. Figura 1 paraqet këshillat bashkiake ku u evidentuan dorëheqje përpara marrjes së mandatit. Ngjyra më e errët korrespondon me numrin më të lartë të dorëheqjeve. Këshillat me numrin më të madh të dorëheqjeve të grave janë ato të Kukësit (43), Lezhës (35), dhe Kurbinit (22), të ndjekura nga këshillat e Sarandës (15), Pukës (14), Krujës (13), Hasit (11), Mirditës (9), Selenicës (8), dhe Belshit (3).

 

Figura 1: Këshillat ku janë evidentuar dorëheqjet e grave përpara marrjes së mandatit

 

Dorëheqjet u evidentuan në 11 parti politike, ku përfshihen: Partia Socialdemokrate (24), Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë (22), Partia Aleanca Arbnore Kombëtare (22), Partia e Gjelbër (20), Partia Aleanca Progresiste LZHK (18), Nisma Thurje (15), Partia Republikane Shqiptare (15), Bindja Demokratike (14), Partia Ardhmëria Shqiptare (13), Partia Aleanca Demokratike Shqiptare (7), dhe Partia Socialiste e Shqipërisë (3) (Figura 2).

 

Figura 2: Partitë politike të renditura sipas numrit të dorëheqjeve përpara marrjes së mandatit

Drejtuesit apo organizatorët politikë rekrutojnë gra të grupmoshave të ndryshme, dhe jo pak të grupmoshës 20-30 vjeç (32%); kryesisht gra që jetojnë në zonat urbane (72%); gra të punësuara në sektorin publik (22%) dhe privat (27%), por edhe të papuna (35%), të cilat, siç mësuam, i tërheqin përmes premtimeve për punë. Një tjetër tendencë është rekrutimi i grave që nuk kanë asnjë eksperiencë në politikë. Nga profilet e kandidateve që ne shqyrtuam, vetëm 6 (3%) kishin shërbyer në këshillin bashkiak në të kaluarën dhe 15 (8%) mund të karakterizoheshin si politikisht aktive në komunitet—dhe këto ishin kryesisht kandidate që shërbenin në administratën vendore dhe mobilizoheshin gjatë fushatave elektorale të PS-së. Pjesa më e madhe e kandidateve (85%), sipas informacionit të grumbulluar nga grupi lokal, ishin bërë pjesë e listave për t’i bërë favor dikujt tjetër, dhe personi që përfiton, zakonisht, është dikush në rrethin e tyre të ngushtë, si vëllai, djali, bashkëshorti, apo djali i xhaxhait.

Ndërkohë që po shihnim të dhënat e raportuara nga këshillat bashkiake, filloi të na binte në sy përsëritja e mbiemrave të njëjtë, të cilët shpesh, në mënyrë strategjike, nuk ishin vendosur poshtë njëri-tjetrit. Këshillat bashkiake raportuan të dhëna për 128 kandidate, nga të cilat 36% ndanin të njëjtin mbiemër brenda të njëjtës listë. Megjithatë, pesha e lidhjeve është më e madhe pasi në këto përllogaritje nuk përfshihen rastet kur mobilizohen persona të afërt por që nuk ndajnë të njëjtin mbiemër. Për shembull, dhëndri—kandidat për këshilltar—përfshin në listë emrin e vjehrrës.

Në krye të mobilizimit të lidhjeve familjare dhe fisnore është Kukësi, ku janë përqendruar edhe gjysmat e rasteve, e ndjekur nga Kurbini, Puka, Hasi, dhe Mirdita. Praktika e mobilizimit të lidhjeve familjare dhe fisnore u evidentua tek Nisma Thurje, Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë, Partia Aleanca Progresiste LZHK, Partia Republikane Shqiptare, Bindja Demokratike, Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, Partia Aleanca Demokratike Shqiptare, dhe Partia Socialdemokrate. Të dhënat sasiore u konfirmuan edhe nga historitë që grumbulluam në terren. Për shembull, në Mirditë, një nga kandidatët kishte përfshirë në listë vajzën edhe vjehrrën, të cilat dhanë dorëheqjen, ndërsa një tjetër kandidat kishte vendosur nënën, e cila po ashtu dha dorëheqjen. Në Kukës, bashkëshorti i njërës prej kandidateve kishte vendosur në listë edhe djalin e vajzën.

Arsyet pse gratë bëhen pjesë e listave, apo më saktë bien dakord që emrat e tyre të përdoren, duken të jenë tre. Së pari, kandidimi shihet si mundësi ekonomike—për të gjetur punë, për të mbajtur vendin e punës, apo për të kaluar në një pozicion tjetër, më të mirë. Së dyti, gratë vendosen në listë përmes një “marrëveshjeje morale” që lidhet midis tyre dhe anëtarit të familjes apo një personi të njohur të familjes, për shembull “miku i babait,” “miku i vëllait,” apo “miku i bashkëshortit”— personat që synojnë të marrin mandat dhe përdorin emrat e grave për të mbushur listat. Ata organizojnë të gjithë procesin, që nga grumbullimi i dokumenteve (si karta e identitetit) e deri tek dhënia e dorëheqjes. Ata nuk hezitojnë të shkojnë në shtëpitë e kandidateve për të marrë firmat dhe ndonjëherë, siç mësuam, i hedhin firmat vetë. Marrëveshja morale shpesh shoqërohet edhe me pritshmëri ekonomike, të diskutuara këto me “mikun e familjes.” Së treti, kandidimi është rezultat i presionit psikologjik e ekonomik; ky është rasti kur punëdhënësit në bizneset ku pjesa dërrmuese e punonjësve janë gra përdorin emrat e tyre për të mbushur listat. Kundërshtimi mund të çojë në humbjen e vendit të punës.

Organizatorët e procesit kanë krijuar një sistem efiçent. Qëllimi nuk është vetëm mbushja e listave me emrat e grave por edhe zbrazja e tyre në mënyrë të shpejtë—menjëherë pas zgjedhjeve—në mënyrë që t’i vijë radha burrave. Këtu ka një pengesë: mbledhjet e këshillave zakonisht ndodhin një herë në muaj dhe procesi i dhënies së dorëheqjes mund të zgjasë. Rruga e shkurtër është dhënia e dorëheqjes në Noteri. Gratë firmosin deklaratën e parapërgatitur dhe largohen. Dhe kështu ka ndodhur në shumë këshilla. Nga 73 rastet e dorëheqjeve ku ishte raportuar muaji i dhënies së dorëheqjes, 47 raste (64.38%) kishin ndodhur në muajt maj, qershor, dhe korrik 2023. Në plot raste, dorëheqjet kanë ndodhur me një shpejtësi të admirueshme. Në Kukës, kandidatet e Nismës Thurje, të cilat kanë raportuar “arsye personale” për dorëheqjet, janë tërhequr midis datave 30 qershor dhe 20 korrik 2023. Në Kurbin, kandidatet e Partisë Republikane kanë firmosur deklaratat noteriale në datat 26, 27, dhe 30 qershor 2023, si dhe në datën 1 korrik 2023. Në Pukë, kandidatët e Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare kanë firmosur deklaratat noteriale të dorëheqjes në datat 17 dhe 23 maj, si dhe në datën 5 qershor 2023. Ndërkohë, kërkesat drejtuar këshillit bashkiak janë firmosur brenda muajit maj, konkretisht në datat 12, 16, 22, dhe 29 maj. Kur gratë japin dorëheqjen, arsyet tipike që ato raportojnë janë “arsyet personale” apo “arsyet familjare.” Megjithatë, pas arsyeve të raportuara zyrtarisht qëndrojnë përpjekje për të ndihmuar burrat të bëhen pjesë e këshillit bashkiak.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, 11 partitë politike në 10 këshillat bashkiake ku u evidentuan dorëheqje masive të grave përpara marrjes së mandatit kishin gjithsej 427 kandidatë në listat e tyre. Listat respektuan kuotën gjinore 50/50: 215 (50.35%) ishin burra dhe 212 (49.64%) ishin gra. Pas gjithë manovrave, balanca gjinore nuk ekziston më. Në fillim të vitit 2025, nga 45 mandatet që këto parti kishin siguruar në 10 këshillat bashkiake, 40 mandate (89%) i mbanin burrat dhe 5 mandate (11%) i mbanin gratë. Nëntë nga 11 partitë politike përfunduan pa asnjë grua në këshillat bashkiake.

Ajo çka u shfaq në media këtë verë është vetëm maja e ajsbergut. Problemi ekziston në nivel qendror dhe vendor dhe analiza jonë tregon se preken veçanërisht gratë, të cilat vihen në shërbim të disa burrave që kërkojnë të qëndrojnë në pushtet pa meritë. Të dhënat flasin fort dhe problemi nuk duhet të injorohet. Ka ardhur koha që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve—në bashkëpunim me institucione të tjera—të hartojë një strategji për parandalimin e kandidimeve fiktive dhe dorëheqjeve masive dhe ta zbatojë atë duke filluar nga zgjedhjet më të afërta: zgjedhjet vendore 2027!

 

Raporti i plotë i studimit mund të gjendet këtu

Burimet

Barjamemaj, A. (2024, 8 nëntor). Në hijen e kuotave gjinore: Si gratë e zgjedhura zëvendësohen

nga burra në këshillat bashkiake. Reporter.al. https://www.reporter.al/2024/11/08/ne-hijen-e-kuotave-gjinore-si-grate-e-zgjedhura-zevendesohen-nga-burra-ne-keshillat-bashkiake/

Dauti, M., & Metaj, G. (2025). Përvetësimi i kuotës gjinore 50/50 në këshillat bashkiake: Prapaskenat e partive politike. Tiranë, Shqipëri: Fondacioni Friedrich Ebert.

Konomi, E. (2023, 9 tetor). Kush po i frikëson gratë? Dosja.al. https://dosja.al/art-argetim/kush-po-i-frikeson-grate-i330775

Top Channel. (2025, 19 gusht). Edicioni informativ. https://top-channel.tv/video/edicioni-

informativ-19-gusht-2025-ora-1930/