Fifi shpërthen në lot gjatë një transmetimi live: “Mos ma përmendni djalin, çka ju ka ba?”
Këngëtarja e njohur shqiptare, Fifi, u shfaq mbrëmjen e sotme në një transmetim live në Instagram, ku fillimisht kishte hyrë për të folur rreth pjesëmarrjes së saj në edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Ajo këtë vit konkurron së bashku me Tiri Gjocin me këngën “Rri”, një duet që prej publikimit të parë ka marrë vëmendje të madhe dhe komente pozitive nga publiku.
Megjithatë, biseda e saj me ndjekësit mori një kthesë të papritur. Fifi u shfaq dukshëm e ngarkuar emocionalisht, ndërsa në një moment nuk arriti më të mbante lotët. Këngëtarja la të kuptohej se po përballet me presione të forta dhe situata të paarsyeshme që, sipas saj, po krijohen në kuadër të festivalit. Ajo foli për një “orkestrim” që po i vështirëson rrugën dhe po i shton stres të panevojshëm.
Situata u rëndua më tej kur në komentet e transmetimit u përmend djali i saj. Kjo e preku thellë artisten, e cila me zërin që i dridhej u shpreh se nuk e kupton pse fëmija i saj po përfshihet në debate apo kritika që lidhen vetëm me punën e saj. “Çka ju ka ba djali jem? Kujt po ia prish balancën në festival?”, u shpreh ajo mes lotësh, duke bërë apel të mos përfshihet djali i mitur në këto biseda.
Ndjekësit reaguan menjëherë me mesazhe mbështetëse, duke i kërkuar të fokusohet te muzika dhe performanca në skenë. Fifi dhe Tiri pritet të jenë një nga duetet më të komentuara të këtij edicioni.
