Mon, Dec 8, 2025

“Plas” te Liverpool, Inter ka në dorë Slot, projektohet rikthimi i Gerrard

“Plas” te Liverpool, Inter ka në dorë Slot, projektohet rikthimi i Gerrard
  • PublishedDecember 8, 2025

7 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje në 15 ndeshje, vendi i 9-të në Premier League, këto janë shifrat e Liverpool këtë sezon, shifra që flasin qartë për një dështim të madh, të paktën deri më tani. Askush nuk e imagjinonte që të kuqtë të përjetonin një sezon të tillë, për më tepër pasi zhvilluan një merkato sheikësh, klubi që investoi më shumë në vere.

Në kushte të tilla i pari nën akuzë është trajneri Arne Slot, i cili sot më shumë se kurrë ndjen që stoli i tij po lëkundet ndjeshëm. Mbi teknikun holandez rendon shumë edhe çështja “Salah”, me sulmuesin egjiptian i cili shpërtheu pas ndeshjes kundër Leeds United ku zbuloi se mes tij dhe trajnerit nuk ka asnjë kontakt:

“Nuk kam asnjë raport me të. Jam shumë i zhgënjyer. Kam bërë shumë gjëra për këtë klub, por tani e shoh veten në pankinë dhe nuk e di arsyen përse. Më duket vetja sikur klubi më ka hedhur poshtë një autobusi, mendon se është shumë e qartë, dikush nuk më dëshiron në skuadër”, u shpreh Salah.

Në Angli, mediat shkruajnë se Slot është shumë pranë shkarkimit, madje fati i tij mund të vendoset pas ndeshjes kundër Inter në Champions League. Gjithnjë sipas mediave angleze, pasuesi i tij pritet të jetë një legjendë si Steven Gerrard. Ish kapiteni i famshëm i kuq mund të jetë një opsion tranzit deri në fund të sezonit, për t’i dhënë kohë drejtuesve për të gjetur një trajner të ri. Dëshira e madhe e tyre është Julian Nagelsmann, trajneri aktual i përfaqësues së Gjermanisë. Ky i fundit pritet të jetë i lirë pas përfundimit të Botërorit “FIFA2026”.