Orinda Huta zbulon fitimet nga podcasti: Më shumë se rroga në televizion
Orinda Huta ka folur hapur për vendimin e saj për t’u shkëputur nga ekrani i televizionit dhe për t’iu dedikuar një formati që sot po njeh sukses të madh në tregun mediatik podcast-it. Formati i saj “Mam”, tashmë në sezonin e tretë, është kthyer në një pikë referimi për prindërimin, duke sjellë histori, sfida dhe biseda të vlefshme për nënat dhe baballarët. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Orinda tregoi se ideja lindi natyrshëm pas ardhjes në jetë të vajzës Atara. Ajo pranoi se ritmi intensiv i televizionit nuk i linte hapësirë të mjaftueshme për të qenë pranë familjes, ndaj podcast-i ishte zgjedhja e duhur.
Por ndryshimi nuk solli vetëm qetësi dhe ekuilibër familjar. Orinda pranoi se të ardhurat financiare nga podcast-i janë jo vetëm të qëndrueshme, por edhe më të mira se ato të televizionit tradicional.
“Të ardhurat janë vërtet të mira dhe janë tek unë, të gjitha. Plus Instagrami ka të ardhurat e veta dhe kur bashkohen bëjnë një paketë shumë të fortë,” – sqaroi ajo, duke theksuar se pavarësia e re profesionale i ka sjellë më shumë liri dhe stabilitet.
Me “Mam”, Orinda Huta duket se ka gjetur formulën ideale mes jetës personale dhe karrierës, duke e kthyer pasionin për komunikimin në një format modern, autentik dhe të suksesshëm.
Biseda;
Blendi Fevziu: Financiarisht, a ia vlen?
Orinda Huta: Po, ia vlen. Financiarisht ia vlen.
Blendi Fevziu: Ia vlen më shumë se një rrogë në media tradicionale?
Orinda Huta: Po, po, po, absolutisht ia vlen më shumë sesa një rrogë në televizion për faktin që ke pjesën e kohës që e ke totalisht tënden, mund të bësh shumë gjëra të tjera që ty të duhet të bësh, të hapësh edhe një biznes tëndin dhe të kesh gjëra që nuk t’i lejon dot koha në televizion sepse duhet të jesh aty, është respekti, të ftuarit, detyrohesh sepse nuk e ke në dispozicion ekipin gjithë kohës, janë disa gjëra që ti nuk i merr dot në televizion, plus që duhet të jesh aty kështu që unë këtë kohën nuk e doja më në këtë lloj forme dhe vendosa që t’i dedikohesha vetëm podcast-it dhe gjërave të tjera që janë pjesë pastaj.
