Survejim mbi koleksion
Një kamera dixhitale me mikroskop mund të shëtisë në brendësi të një Piccaso-je, Warhol-i, Rauschenberg-u dhe të tregojë çfarë ka parë pa u ndikuar nga fuqia e emrave dhe shifrat financiare që kapin ata në tregun e artit. Një metodë që Gentian Shkurti (1977) e ka përdorur me vepra të koleksionit të Muzeut të Artit Bashkëkohor “Ludwig” në Budapest. Pasi kishte ekspozuar aty me të tjerë artistë shqiptarë në 2016-ën, e ftuan në rezidencë dhe i kërkuan që në finale të realizonte një punë. E tërhoqi ideja e bërjes së diçkaje enkas për muzeun, për çfarë ky muze përfaqëson nga trashëgimia e artit botëror të periudhës 1960-’80. U ngacmua nga disa klasa fëmijësh që vinin për orë edukimi artistik, në një pjesë ku ishin ekspozuar punët e Piccaso-s dhe vuri re se interesi i fëmijëve ishte për çmimin e veprave. Jo se nuk kishte reflektuar për çfarë është vlerë, për aurën në kuptimin që Walter Benjamin-i i jep kësaj fjale, sidomos për aurën e veprave të Piccaso-s, që edhe nëse s’të pëlqen, është art që e ka të bartur peshën e emrit. Artisti shqiptar po kërkonte vlerën që u transmetohet brezave si diçka unike dhe është një nga arsyet pse muzeu ekziston. Çfarë duhet të ruajë një muze, disa pëlhura të pikturuara të kushtueshme apo vlera që nuk mund të kapen fizikisht nga mbikëqyrja e ndonjë kamere? A janë vlera monolite që nuk ndryshojnë në kohë? Për ata fëmijë që nuk e njohin kontekstin historik, kontekstin kur i krijoi Piccaso-ja ato vepra, a do t’i perceptojnë njësoj siç janë perceptuar në kohën kur u prodhuan? Pyetje që Shkurti mund t’i vinte në diskutim nëpërmjet videos, mediumi që njeh më mirë. Me “Liza në botën e çudirave” (1997, 3’33’’), realizuar pa përfunduar akoma studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, ai është pionier i videoartit në Shqipëri. Ka ekspozuar në hapësira të rëndësishme si Centre Pompidou, Fridericianum, Bienalja e Venecias, Chelsea Art Museum.

Kurioz kur hidhej në qarkullim një teknologji e re që e ndihmon për të shprehur ide a koncepte mbi artin, siguroi një kamerë dixhitale me mikroskop dhe vendosi të xhirojë tri vepra nga të Pablo Piccaso-s, Andy Warhol-it dhe Robert Rauschenberg-ut. E vogël sa një elektrik dore, kamera shëtit 10 deri 15 minuta mbi tablo, fokusohet në ndonjë njollë të dendur, ndalet aty ku duket se ka ndonjë lloj domethënieje, sepse duken si kuadro abstrakte ku mund të shihen me dhjetëra piktura të bukura. Te Piccaso-ja, për shembull, Shkurti vërente se raportet, pothuajse në shumicën e kohës, janë perfekte, sepse “është diçka e pavetëdijshme, s’besoj të ketë qenë aq koshient, jo Piccaso-ja po kushdo artist”, thotë ai. “Kjo punë u bë për të ngritur një reflektim mbi thelbin e muzeut dhe për diferencën që shpesh nuk bëhet mes historisë së artit dhe historisë së tregut të artit. Jo patjetër vepra që vlejnë miliona, përkthehen në vlerë artistike apo vlerë për njerëzimin në përgjithësi.” Një shembull: sipas tij, “banania” e Cattelan-it, është operacion i mirëfilltë marketingu, që nuk do ngelet në historinë e artit si provokimi i Duchamp-it me urinoren para 100 viteve. Edhe në kohën e Duchamp-it ka pasur art që kushtonte ose artistë që shiteshin më shumë. Piccaso-ja ishte një nga ata. “Në qoftë se vepra të shtrenjta supozohet që kanë lëvizur në ato çmime edhe për meritë të marketingut, ose të kapriços së atij koleksionisti që e do një vepër, atëherë po flasim për vepra si akte sipërfaqësore, showbiz-i apo spektakolare, që janë kalimtare, që nuk përfaqësojnë vlera që nuk ndryshojnë. Përfaqësojnë vetëm një trend financiar ose të momentit.”
Ky reflektim solli “Video Surveillance” (Mbikëqyrje me video), prezantuar përmes një paneli me tre monitorë, që transmetojnë çfarë ka kapur kamera mikroskopike. Artisti zgjodhi që vepra site-specific të ekspozohej brenda muzeut, por të ishte e dukshme vetëm jashtë tij. Sot është pjesë e koleksionit “Ludwig”.

Të njëjtën metodë propozoi ta përdorë me pak vepra të koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, kur drejtuesit e rinj kërkuan t’i komisionojnë një punë. Iu drejtuan Shkurtit, sepse praktika e tij artistike priret nga rishikimi i modeleve të traditës në artin figurativ, po qofshin edhe fenomene të reja të ngulitura për efekt populist, të cilave ai u jep një interpretim të ri, në kohë dhe rrethana të tjera. Kur artisti hyn në pjesën fizike të veprës së artit, siç thotë Paul Valery, kjo nuk mund të vështrohet e të trajtohet më si më parë. Përdorimi i teknologjisë moderne, çon në një praktikë moderne, pa prekur, pa shkatërruar, duke e përdorur si një sy të brendshëm kamerën mikroskopike, siç e përdor kirurgjia moderne, pa i futur duart brenda trupit të të sëmurit. Kamera ka brenda dritë LED, imazhet i kap me cilësi të lartë, riprodhon shkëlqyer ngjyrat, në ekuivalencë me ato të mostrës që vëzhgohet. Në fakt, muzetë e artit e kanë mjet teknik pune për qëllime konservimi dhe restaurimi apo për të provuar autenticitetin e një vepre. Qasja që ndjek Gentian Shkurti është pranë asaj që Valery e quan trill artistik, që e ka bazën tek risitë që ndryshojnë teknikat e artit, e mbase “vetë nocionin tonë për artin”.
Ndryshe nga piktori i kavaletit që ka distancën ndaj realitetit, artisti bashkëkohor vihet në rolin e piktorit-operator që depërton në indin e materies së veprave, që i përkasin më të madhit fond kombëtar. “Shteti shqiptar ka blerë art për të kultivuar shijet dhe shpirtin e kombit, pavarësisht se në ato vite është bërë art zyrtar, thellësisht propagandistik, që ka filluar të diskutohet e të klasifikohet si art apo thjesht propagandë. Mirë apo keq, kjo është. Edhe vlerë artistike pa diskutim që ka, sepse shumica e veprave janë bërë nga artistë profesionistë që e njihnin mirë mjeshtërinë. Nuk është për t’u vënë në dyshim. Por ashtu si me Piccaso-n, unë e shikoj nga larg kuadrin që të kuptohet më mirë. Prandaj e zhvesh nga artificat që çojnë në interpretime të ndryshme.” Me këtë vetëdije, vepra site-specific “Mbikëqyrje me video GKA” (33’) që projektohet në formë loop mbi fasadën e restauruar të Galerisë, bart qëndrimin artistik të Shkurtit. Ajo bëhet objekt perceptimi i njëkohshëm kolektiv – si në mbrëmjen e inagurimit më 29 nëntor – siç ndodhte me pikturën e realizmit socialist, që pretendonte një rol edukues indoktrinues shoqëror. I vetmi element identifikues janë titujt dhe mjaftojnë aq për të dhënë ngarkesën që supozohet të kishte vepra ose që ka tentuar të japë autori: “Portret i shokut Enver” 1974, “Epika e yjve të mëngjesit” 1971, “Kompleks industrial” 1974, “Mic Sokoli” 1981, “Tirana” 1942, “Uzina e autotraktorëve Enver Hoxha” 1981, titujt që përfaqësojnë tematikat bazë të koleksionit mbi ndërtimin e socializmit, objekte si Metalurgjiku, portretizimin e diktatorit brenda frymës spekulative të propagandës. “E sigurisht që njeriu i ri socialist”, vazhdon Shkurti, “lumturia e shfaqur nëpër ato piktura apo edhe mendja, gjenialiteti dhe Zoti që ishte diktatori, të gjitha këto, spekulime ishin. Edhe sot po spekulohet mbi spekulimin e tyre. Ka kaluar në nivelin e legjendës, e ikonës, ai lloj arti.” Si dhe autorët. Mbas 90-ës, shumica e tyre sikur distancohet dhe kur u zgjua interesi, për të njëjtat vepra pati tjetër këndvështrim. Çdo 10-vjeçar janë bërë përpjekje nga drejtuesit e Galerisë për të propozuar koncepte mbi fondin e realizmit socialist, fillimisht nga Gëzim Qendro, Rubens Shima më pas. Të fundit ishin Erzen Shkololli me kuratorët e ftuar Nataša Ilić dhe Adam Szymczyk, që me ekspozitën “Tirana patience” kërkuan ta nxirrnin koleksionin nga pozita e cepit të brendshëm, e pasurisë së fshehur apo e barrës historike, për ta hapur drejt një interpretimi të ri me pjesëmarrjen e artistëve, kuratorëve, aktivistëve dhe shkrimtarëve. I ftuar ka qenë dhe Shkurti me “Kornizat”, një cikël akuarelesh mbi tema që shqetësojnë qytetin sot, të cilat rrinin përballë veprave të realizmit socialist. Por vlera e punës së tij qëndronte tek koncepti i kornizave dhe qëndrimi kritik ndaj identitetit që politika i ka dhënë qytetit.
Në laboratorin e tij krijues ka gjurmë edhe shenja që i lidhin veprat me njëra-tjetrën. “Patriotic Lyrics” (video, 2004, 1’38’’) është njëra prej tyre, pjesë e koleksionit të Galerisë. Një aktor arrin ereksionin ndërsa reciton vargje patriotike. Videoja u zgjodh nga kuratori Harald Szeemann për t’u ekspozuar në Festivalin e Filmit të Lokarnos 2003, në një hapësirë për artin bashkëkohor.

Në 1999-ën, Shkurti kishte mbrojtur diplomën me performancën “Heroi i panjohur”. Vetë artisti i bronzuar në varak, si një skulpturë e repertorit të realizmit socialist, qëndron si statujë mbi podium dhe mban armë të vërtetë. E vetmja lëvizje që bën është mbushja e armës dhe drejtimi për nga publiku, duke krijuar ankth dhe stres. U shfaq në dy ekspozita dhe aq, sepse Shkurti nuk iu dha performancës. “Heroi i panjohur”, analogji me “Ushtarin e panjohur”, ishte në atë periudhë një lloj refuzimi ndaj artit të së shkuarës, prezent në frymën e përgjithshme të artit në vend. Ishte reflektim mbi atë art, me çka mbart “Partizani i panjohur”, po edhe ngaqë shumica e punëve në fondin e Galerisë kanë përmbajtje me luftëtarë, partizanë ose çlirimtarë, ndaj zgjedhja e “Heroit të panjohur” në atë moment “kthehet në një antihero ose në një hero që të kall datën dhe kjo, jo për të hedhur poshtë heroizmin, sesa për të reflektuar si raportohemi ne me virtytet që mundohet të trashëgojë ose të pasqyrojë arti”.
Duke u kthyer tek vepra aktuale, pikturat e përzgjedhura janë të Zef Shoshit, Edison Gjergos, Lumturi Blloshmit, Sali Shijakut, Vangjush Mios dhe Androniqi Zengos. Titujt dhe imazhet abstrakte që shoqërojnë, provokojnë shije dhe ndjesi të çuditshme nga neveria tek lehtësia dhe kthjelltësia. Lëvizja e kamerës në brendësinë e materies së ngurtë e bën atë organizëm të gjallë, e interpreton, krijon peizazhe prej saj, gjeneron portrete të brendshme. Në këtë pikë nuk ka më rëndësi ç’është aura e veprave të dikurshme, sepse ajo është çmontuar, është krijuar një vepër e re, pa cituar përbajtjen e së vjetrës, pa e riprodhuar atë, thjesht duke e nxjerrë nga baza e vet kulturore dhe duke i ndryshuar funksionin. Kjo është përgjigjja për pyetjen e artistit bashkëkohor a janë veprat e muzeut monolite apo duhet të vihen në diskutim, sipas ndryshimeve sociale dhe politike që kalon Shqipëria. Si rasti i mozaikut në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, që, herë pas here, provokime të kota bëjnë sikur e nxjerrin nga gjendja vegjetative me gjithë ngarkesën ideologjike. Shkurti i zhvesh nga ngarkesa ideologjike tablotë, të paktën vizualisht, duke shfaqur pamjen mikroskopike të materies, e cila unifikohet pothuajse me gjithë veprat e tjera. Sepse kur i sheh në atë fokus aq të ngushtë, me shkallë zmadhimi 200-300 herë për një centimetër, nuk mund të bëhet aq qartë dallimi mes stilit ose karakterit të mënyrës së të punuarit të piktorëve të ndryshëm. “Artistët që janë pjesë e fondit, janë më të mirët, janë të dallueshëm, veprat e tyre e kanë një lloj aure. Çështja është, çfarë është kjo aurë? Vjen nga vepra apo nga politika që propagandon punën dhe veprën, pra, nga gjërat jashtëartistike? Këto pyetje dhe reflektime i kam unë, po sigurisht që nuk pretendoj t’i ngacmoj me imazhin e një videoje.”

Në gjithë këtë proces dekonstruktimi është shkuar tek ajo që është esenca e veprës, përbërja kimike e saj, ku futet edhe intuita e piktorit, me përzierjen e ngjyrave dhe mënyrën se si i përdor ato. Është një kthim tek fillesa, domethënë një udhëtim në të kundërt me rrugën e autorit të veprës origjinale, në gjurmimin e të cilës është gjetur një vepër të re. Në çdo shkallë zmadhimi, xhirimi bën të ndjehet prekja, gjurma e penelit. Tek “Uzina e Autotraktorëve”, për shembull, Shkurti ka ndjerë që titulli shkon me ngjyrat, me tymin e zi që nxjerrin oxhaqet e uzinës, ndjehet industrialja, forca e makinave, e mundit. “Janë interpretime dhe spekulime që po i bëj unë ose si i perceptoj unë, po gjithsesi, mendoj se janë të dukshme. Në qoftë se do të spekuloj, me portretin e Enverit, ka momente që aty janë përzier të kuqet, vishnjet, të bardhat, duken si organe, si mëlçia, zemra, si situatë kanibaleske.” Këtë ka ndjerë kur xhironte dhe me intuitë ka kapur penelata, ka ndaluar aty ku mendonte se ka funksionuar intuita e autorit, në një moment catchy, që të kap, të zë, qoftë me bukurinë, qoftë me shëmtinë. Asnjë përpunim më pas, ndërhyrje apo interpretim në montazh që do të orientonte dhe kanalizonte mënyrën si mund të shihet një punë e tillë, pavarësisht se artisti asnjëherë nuk ia del, sado i paanshëm që të jetë. Majde, prandaj e ka çuar imazhin në këtë nivel, e në qoftë se do kishte mundësi, do kishte xhiruar edhe kuantet, edhe molekulat. Do kishte shumë dëshirë, po të futej aq thellë, të shihte me mikroskop elektronik se si bakteret apo qeniet e gjalla e banojnë tablonë, si funksionon erozioni te veprat e artit, si në çdo materie tjetër, që ndryshon dhe degradohet me kohën. Me një lloj entuziazmi fëminor nga ky dyluftim i artit me kohën, të cilën mund ta dëshmojë teknologjia, Shkurti thotë se “sa më shumë kohë kalon, nga njëra dorë restaurimi tek tjetra, lind dyshimi: a është më ajo vepër që bëri Mikelanxheloja apo Da Vinçi, apo ka mbivendosje duarsh restauruesish? Nëse do të xhiroja me mikroskop elektronik, mund të shihja edhe gjërat që gjallojnë në atë pëlhurë.”

Drejtoresha Demetja ka një plan menaxhimi për Galerinë
Katër vjet e mbyllur dhe pa kokë në drejtimin e punëve, Galeria Kombëtare e Arteve nën rikonstruksion po jep shenja për rivendosjen e komunikimit me publikun. Në ditët e fundit të nëntorit, gjatë Tirana Art Weekend, u instalua në fasadë një ekran që transmetoi për disa net veprën e Gentian Shkurtit “Videombikëqyrje GKA”, e komisionuar nga Galeria në bashkëpunim me Rrjetin e Arteve Pamore (AVAN). Kjo u quajt “bashkim forcash”, jo pse u shpenzua kushedi çfarë, përkundrazi, por se mungesa e komisionimit dhe blerjes së punëve të artistëve shqiptarë për fondet e Galerisë e ka dëmtuar rëndë memorien e artit bashkëkohor. Është urgjente që të dëshmohet nëpërmjet koleksionit se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 35 viteve në botën shqiptare.
Për të kuptuar pse blerja e veprave ka qenë e pamundur, vlen të kujtohet se ndër vite buxheti për projekte i Galerisë ka qenë mesatarisht 3 ml lekë, shumë që duhet të mbulonte ekspozita vetjake, kolektive, kombëtare, ndërkombëtare, botime në rastin më fatlum e të tjera.
Adela Demetja, që nga angazhimi për disa vjet në skenën e pavarur të artit, erdhi në krye të Galerisë në shtator, thotë për BIRN-in se këtij procesi ka për t’i ardhur në ndihmë ngritja e Fondacionit “Miqtë e Galerisë”. Ka ekzistuar një bord me këtë emërtim, që ka mbështetur Atelierin e Edukimit për Fëmijë, kurse Fondacioni do ketë në fokus pasurimin e fondit me vepra të artit bashkëkohor shqiptar. “Nuk mund të varemi nga buxheti i Ministrisë së Kulturës”, thotë Demetja. “Në platformën time për drejtimin e Galerisë Kombëtare, përveç riorganizimit të institucionit me shtimin e hapësirave të reja, është menduar për hartimin e një plani menaxherial. Mënyra si financohemi dhe mbahemi vetëm nga fondet publike, nuk na favorizon. Është e nevojshme që vetë institucioni të ngrejë të ardhura, të sigurojë donacione falë programeve internacionale.”

Platforma e Demetes ka parashikuar krijimin e Drejtorisë së Kurimit, Studimit dhe Edukimit, në krye të së cilës është emëruar së fundi kuratori Gent Gjikola dhe është parë i nevojshëm forcimi i Drejtorisë së Promovimit dhe Programeve Publike. “Koleksioni është baza e Galerisë dhe aktualisht studiuesit po punojnë për linjën muzeale, për një prezantim të denjë dhe gjithpërfshirës. Në program do të jenë ekspozitat e përkohshme me figura të historisë sonë të artit që duhen risjellë dhe studiuar dhe ekspozita me artistë në mesin e karrierës që propozojnë një projekt të veçantë. Duhet investuar në rigjenerimin institucional dhe fondet ndërkombëtare për të cilat kemi filluar të aplikojmë, do të na japin mundësi të punojmë në mënyrë afatgjatë me burimet tona. Duhet kuptuar se ka edhe një mënyrë tjetër si duhen trajtuar institucione si Galeria, sepse ne nuk jemi vetëm ekspozues.”
Për mundësinë e rikthimit të disa ngjarjeve tradicionale ndërkombëtare apo që Galeria të jetë autoriteti propozues dhe zgjedhës i pjesëmarrjes në Bienalen e Venecias, Demetja përgjigjet se “ekspozita si “Onufri” apo “Marubi” kanë pasur një funksion të caktuar për kohën kur janë organizuar. Sot janë aktive hapësirat e vogla, Rrjeti i Arteve Pamore Shqiptare, artistët ndërkombëtarë e të gjitha bashkë po krijojnë klimën për një traditë të re me fokus rajonal. Jemi duke e diskutuar. Në lidhje me Bienalen e Venecias, mendohet që një pjesë e menaxhimit të pjesëmarrjes së Shqipërisë t’i kalojë Galerisë. Një hap është hedhur. Këtë vit pati thirrje të hapur dhe procesi u gjykua nga një juri ndërkombëtare.”
Deri në inaugurim, që drejtoria shpreson të ndodhë në qershor, ka punë institucionale për të bërë si dixhitalizimi i arkivit, përgatitja e identitetit të ri vizual të Galerisë, website-i dhe programi që do pasojë.



