Klodian Braho zgjidhet drejtuesi i ri i SPAK
Prokurori Klodian Braho u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme të enjten, pas një séance maratonë dëgjesash në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, e cila u monitorua gjerësisht nga diplomatët e huaj dhe media.
Braho mori votat e shtatë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë kundrejt tre votave që shkuan në favor të Adnan Xholit. Kandidati tjetër, Elvin Gokaj mori një votë, ndërsa Doloreza Musabelliu nuk arriti të marrë asnjë votë.
Klodian Braho, 43 vjeç, ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008. Ai ka punuar në Prokuroritë e Beratit dhe Vlorës, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Braho është prokuror i SPAK prej vitit 2019.
Gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Braho shpalli si prioritet të punës së tij konsolidimin në mënyrë të pakthyeshme të Prokurorisë së Posaçme.
“Sfida më e madhe është që institucioni i SPAK të maturohet dhe të kalojë atë pikën e pakthyeshme. Mos të ketë më rëndësi se kush shkon prokuror apo zëvendësues, por të ketë standarde,” tha Braho.
Braho është drejtuesi i tretë i Prokurorisë së Posaçme që prej themelimit, duke pasuar në këtë detyrë prokurorët Arben Kraja dhe Altin Dumani. Përgjatë tre viteve të fundit, Prokuroria e Posaçme ka ndihmuar në rikthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur përgjegjës disa nga zyrtarët më të lartë publikë – nga ish-kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha dhe deri te zv.kryeministrja në detyrë, Belinda Balluku.
Votat për Klodian Brahon
Moisi Duda
Olger Eminaj
Mirela Bogdani
Ledina Riza
Erind Gërmenji
Zeqir Hoda
Arta Mandro
Votat për Adnan Xholin
Sokol Stojani
Erind Mërkuri
Vatë Staka
Vota për Elvin Gokaj
Erion Fejzulla
