Fri, Dec 12, 2025

KLP zgjedh drejtuesin e ri të SPAK, ndërkombëtarët kërkojnë proces të drejtë e transparent

KLP zgjedh drejtuesin e ri të SPAK, ndërkombëtarët kërkojnë proces të drejtë e transparent
  • PublishedDecember 11, 2025

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjedh të enjten më 11 dhjetor drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK, i cili do të drejtojë këtë strukturë për tre vitet e ardhshme.

Kandidatët në garë për këtë pozicion janë, prokurorët e SPAK, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho. Sipas një verifikimi të mëparshëm të KLP-së, të katër kandidatët i plotësojnë kushtet ligjore për të kandiduar e vijuar garën.

Në mbledhjen e të enjtes që do të fillojë në orën 09:00 të mëngjesit, do të zhvillohen fillimisht intervistat me katër kandidatët, sipas rendit alfabetik të emrave të tyre. Në pikën e dytë të rendit të ditës është përcaktuar zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK. Kandidati që do të zgjidhet fitues, do të jetë drejtuesi i tretë Prokurorisë së Posaçme, pas prokurorëve Arben Kraja dhe Altin Dumani. Këtij të fundit i përfundon mandate më datë 18 dhjetor.

Zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri, bëri me dije përmes një postimi në rrjetin social Facebook se Ambasadori BE-së, Silvio Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare, gjatë procedurës së përzgjedhjes së kreut të ri të SPAK. Ai shprehu besimin se anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.

Po ashtu, edhe Ambasada Britanike në Tiranë reago për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK. “Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, shkruhet në postimin në llogarinë e Ambasadës Britanike në Facebook.