Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendim të premten për kërkesën e Ramës për Ballukun
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese pritet të marrë vendim të premten më 12 dhjetor lidhur me kërkesën e kriministrit Edi Rama për të konkluduar mbi kushtetueshmërinë e pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, pas marrjes së saj të pandehur për shkeljes së barazisë në tendera.
Kërkesa u mor për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese më 3 dhjetor, por u shty me justifikimin e kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së vetë gjykatës, si dhe mbështetut në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.
Kryeministri Rama i ka kërkuar kësaj gjykate që të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në anën tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së Ballukut.
Po ashtu, Rama kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, pezullimin e efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese dhe interpretimin e nenit kushtetues që parashikon se “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal”.
Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese mori kohë për të dalë me një vendim për këtë kërkesë, kryeministri Rama ka vijuar ankesat publike ndaj vendimit të gjykatës për pezullimin e Ballukut nga detyra, e cila në rolin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet se ka ndërhyrë dhe vendosur në mënyrë të paligjshme për dy tendera me vlerë 210 milionë euro.
Qëndrimet publike të Ramës kundër pezullimit të Ballukut, solli reagim të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, që konstatoi se nën petkun e ankesave të numrit një të qeverisë për uzurpimin e pushtetit ekzekutiv e atij legjislativ prej gjyqësorit, në fakt fshihet një mesazh presioni ndaj gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatave të Posaçme që kanë në shqyrtim çështjen në fjalë.
Menjëherë pas deklaratës së gjyqtarëve më 9 dhjetor, Rama reagoi me një deklaratë në platformën ‘X’ (ish-Tëitter), ku shprehej se nuk do t’i ndalonte deklaratat e tij, pasi ishte palë në një gjykim.
Që prej arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në muajin shkurt, kryeministri Edi Rama ka ushtruar presion në mënyrë të përsëritur ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. Nga kërcënimi publik në muajin shkurt që të mos shkonin për të marrë telefonin e tij, e deri në sulme personale ndaj magjistratëve gjatë muajve të verës, që kishin të bënin kryesisht me vendimmarrje të tyre për sigurim të padive lidhur me aksionin e qeverisë për çlirimin e hapësirave publike, presionet e Ramës ndaj drejtësisë kanë arritur pikun, pas masave të sigurimit të caktuara ndaj zëvendëses së tij.
