Sat, Dec 13, 2025

E ëma i tregoi se po ndahej nga jeta, Pirro Çako: Më tha pemës po i fiken dritat

E ëma i tregoi se po ndahej nga jeta, Pirro Çako: Më tha pemës po i fiken dritat
  • PublishedDecember 13, 2025

I ftuar në emisionin “Podkastro” me Kastro Zizon në Vizion Plus, Pirro Çako ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera për jetën e tij personale, duke folur hapur për humbjen e së ëmës, Luiza Çako, e cila u nda nga jeta në shtator të këtij viti.

Gjatë bisedës, artisti u ndal te kënga që i ka dedikuar asaj, “Nënë, më mungon”, duke zbërthyer kuptimin e disa vargjeve që mbajnë një ngarkesë të fortë emocionale. Një prej tyre, “dritat e pemës s’ka kush mi ndriçon”, lidhet drejtpërdrejt me një kujtim shumë personal mes tij dhe së ëmës.

Pirro tregoi se vite më parë i kishte blerë nënës një “pemë jete”, të cilën ajo e mbante gjithmonë pranë, sidomos gjatë periudhave të vështira shëndetësore. Sipas tij, pema ishte kthyer në një simbol shprese, si një shenjë force dhe mbrojtjeje. “Ishte sikur ajo pemë e ruante, sikur Zoti e mbante”, rrëfeu ai.

Momenti më tronditës erdhi kur e ëma, pas pesë vitesh, i foli për herë të parë për dritat e pemës. Ajo i tha se po i dukej sikur dritat po fikeshin dhe se kishin mbetur shumë pak ndezur. Pirro tregoi se në atë çast e kuptoi mesazhin e heshtur që ajo po përpiqej t’i përcillte. Kur u afrua për ta parë nga afër, pa se vërtet vetëm një pjesë e vogël e dritave funksiononte ende.

Vetëm një javë më pas, Luiza Çako u nda nga jeta. Pirro tha se ky kujtim i është rikthyer natyrshëm ndërsa ishte pranë pianos, duke u shndërruar në frymëzim për vargjet e këngës.

“Tani që ajo s’është më, s’ka kush të m’i ndezë dritat e bredhit”, u shpreh ai, duke shtuar se ata ia mbanin njëri-tjetrit dritat ndezur derisa u fikën përgjithmonë.