Vuan nga sëmundja e rrallë që e kanë vetëm 16 njerëz në glob, Sasa: Vetëm unë u operova
Sasa Hoda ndau sot në shtëpinë e Big Brother një nga rrëfimet më të forta dhe më prekëse të këtij edicioni, duke hapur zemrën për një betejë jetike që, sipas saj, e ka çuar shumë pranë vdekjes. Banorja foli pa filtra për sëmundjen e rrallë me të cilën është përballur dhe pasojat që ajo vazhdon të ketë në jetën e saj.
Sasa zbuloi se vuan nga tumori i enëve të gjakut, një diagnozë jashtëzakonisht e rrallë që, sipas mjekëve, prek vetëm 16 persona në mbarë botën. Ajo është e vetmja prej tyre që ka mundur t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
“Doktori më tha: 90% e ke kokën në rrezik. I kam thënë babit: mos më le me vdek,” rrëfeu ajo mes lotësh, duke përshkruar momentet më të vështira të betejës së saj për jetën.
Një nga momentet më emocionuese të rrëfimit ishte ai kur Sasa foli për sakrificën e babait të saj, duke zbuluar një detaj që nuk e kishte ndarë kurrë më parë.
“Jam falënderuese që ka fjet një muaj në makinë, vetëm që të mos shpenzonte paratë e spitalit,” tha ajo, duke e kthyer vëmendjen te forca e familjes dhe dashuria prindërore në kohët më të errëta.
Edhe pse ka kaluar një operacion të rëndë, beteja e Sasës nuk ka përfunduar. Ajo pranoi se ende jeton me një pjesë të tumorit në trup, një realitet që e shoqëron çdo ditë.
“Jam në këtë jetë me një bombë në trup, që nuk e di kur mundet me shpërthy,” u shpreh ajo, duke lënë pa fjalë banorët dhe publikun.
Në një tjetër deklaratë të dhimbshme, Sasa tregoi se sëmundja i ka marrë edhe një nga ëndrrat më të mëdha të jetës së saj: mundësinë për t’u bërë nënë.
“Kjo sëmundje ma ka pamundësu ndjenjën ma të bukur në botë, me qenë nënë,” tha ajo, duke zbuluar edhe fjalët e mjekut që i kanë mbetur thellë në mendje:
“Nuk guxon me rreziku shëndetin tand për me u bë nënë.”
