Drenica triumfon ndaj Ferizajt, Prishtina e Re dhe Dukagjini ndajnë pikët
AlbiMall Superliga e Kosovës në futboll ka vazhduar sot me ndeshje interesante, në kuadër të xhiros së 17-të. Drenica ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Ferizajt, ndërsa përballja Prishtina e Re –Dukagjini përfundoi pa fitues.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj i takoi skuadrës vendase, e cila përmbysi rezultatin për të marrë tri pikët e plota. Ferizaji kaloi i pari në epërsi me golin e Erion Sadriut në minutën e 3-të. Megjithatë, Drenica reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin në minutën e 16-të falë autogolit të mbrojtësit Ardit Topalaj. Ndërkaq, për 2:1 dhe për fitoren e kuqezinjve u përkujdes Kreshnik Uka, me golin e shënuar me kokë në minutën e 30-të.
Ferizaj mbeti me një futbollist më pak në fushë nga minuta e 42-të pas përjashtimit me të kuq të Qlirim Avdullit, vendim i marrë pas rishikimit në VAR. Kjo e ndihmoi Drenicën që në vazhdim ta menaxhojë më lehtë epërsinë e krijuar dhe t’i gëzohet fitores. Tani Drenica ngjitet në vendin e tetë me 20 pikë, një pikë më pak se Llapi në vendin e shtatë, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 16 pikë. Në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, përballja mes Prishtinës së Re dhe Dukagjinit përfundoi pa fitues dhe pa gola (0:0). Të dyja skuadrat patën raste për gol, por portat mbetën të paprekura. Pika e fituar e pozicionon Dukagjinin përkohësisht në vendin e dytë me 28 pikë, vetëm një më shumë se Prishtina që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
