Inter “zgjohet” në krye, Chivu “thumbon” kritikët (VIDEO)
Inter nuk fal në “Marassi”, thyen Genoa-n 2-1 dhe rrëmben i vetëm kreun e Serie A. Ekipi i Chivu-t përfiton në maksimum nga hapi fals i Milan e Napoli-t, kjo ishte një fundjave perfekte për zikaltërit që reagojnë fuqishëm pas asaj humbje të hidhur përballë Liverpool në Champions. 6-të minuta lojë i mjaftuan për të kaluar në avantazh, ku Bisseck i befasoi të gjithë me një goditje të zgjuar që u ndal në rrjetë. Inter nuk u mjaftua me kaq, por në minutën e 38-të, Lautaro Martinez përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë dyfishoi shifrat.
Në fraksionin e dytë, në minutën e 68-të, një përgjumje e Inter në mbrojtje, bëri që Vitinha të ngushte shifrat në 1-2, një gol që e bëri më të bukur pjesën e mbetur të këtij takimi, por rezultati mbeti i pandryshuar pavarësisht përpjekjeve të Genoa-s për të shmangur humbjen. Në fund, festa ishte e gjitha për ekipin zikaltër që e sheh veten në krye në kuotën e 33 pikëve, plus 1 në raport me Milan.
I ngjitur tashmë në krye, Cristian Chivu nuk harrojë të “thumbojë” ata që shpesh e kanë kritikuar këtë periudhë: “E dinim që duhej një ndeshje me karakter dhe ia arritëm. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Një trajner është i mirë kur sjell diçka të rëndësishme në shtëpi, kritikohet kur nuk arrin gjë”, u shpreh Chivu.
