Tue, Dec 16, 2025

Klasikja me mungesa për Vllazninë, por lideri i ekipit rikthehet në prapavijë

Klasikja me mungesa për Vllazninë, por lideri i ekipit rikthehet në prapavijë
  • PublishedDecember 16, 2025

Ndëshkimet me kartonë vijojnë të jenë një problematikë më vete te Vllaznia këtë edicion, me shkodranët që kanë qenë një ndër ekipet më të “zverdhura” në Superiore. Kështu nga java në javë ka munguar thuajse çdo herë një lojtar për shkak të numrit të plotësuar të kartonëve. I radhës që mungon te Vllaznia në ndeshjen e javës së 17-të kundër Tiranës është Melos Bajrami.

Mbrojtësi u ndëshkua me karton të verdhë kundër Bylisit në minutën e 41- të të takimit. Kjo pas një zënke me Mustafa dhe si shkak i këtij gjesti, 24-vjeçari mori një ndëshkim të merituar. Diçka që acaroi në kulm trajnerin Martini, i cili e dinte se mbrojtësi i tij rrezikonte ndeshjen e radhës në rast të një ndëshkimi me karton të verdhë.

E diçka e tillë ndodhi dhe ish-futbollisti i Skënderbeut nuk do jetë i gatshëm për “klasiken” e së shtunës. Por, një tjetër futbollist që rikthehet në mbrojtje është Elmando Gjini, i cili mungoi kundër Bylisi pikërisht si shkak i pezullimit me kartonët. Ku para disa javësh mungesa si shkak i kartonëve ishin edhe Gurishta e Krymi apo edhe Kastrati.

Diçka e pazakontë për një skuadër si Vllaznia, që luan një futboll shumë “fair play” në fushën e lojës, por ndëshkimet nga “xhaketat e zeza” nuk kanë munguar në dëm të kuqebluve. Qofshin ato të sakta apo jo, një situatë e tillë kërkon një analizë të thellë në radhët e shkodranëve. Të cilët ngelin një ndër ekipet më të ndëshkuara me kartonë këtë edicion të Superiores.