Tue, Dec 16, 2025

Një grup kriminal në krye të AKSHI, tetë nën akuzë për manipulimin e tenderave

Një grup kriminal në krye të AKSHI, tetë nën akuzë për manipulimin e tenderave
  • PublishedDecember 16, 2025

Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, goditi të martën një grup të dyshuar kriminal, i cili akuzohet se manipulonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, përmes pengmarrjes apo dhunës.

Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në “arrest shtëpie”.

Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin – një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.

Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.

“Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve,” thuhet në njoftimin e SPAK.

I përfshirë në skemë dyshohet edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit gjykata ka vendosur “pezullim nga detyra” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Po ashtu të akuzuar janë dhe Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, tre biznesmenë ndaj të cilëve është vendosur masë sigurimi “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Të tre akuzohen se morën pjesë në skemën e manipulimit duek lëshuar fatura fiktive apo marrë pjesë fiktivisht në garat e zhvilluara.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, është një prej institucioneve më sensitive në vend, pasi menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe ministren me Inteligjencë Artificiale, ndërsa kryer rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe institucioneve të ndryshme në lëshimin e qindra dokumenteve.

Agjencia ka qenë herë pas herë nën kritika për mënyrën e menaxhimit dhe tenderat sekretë, të justifikuar me siguri kombëtare, por skema e hetuar nga SPAK zbulon se kjo agjenci dhe informacionet kritike që ajo përpunon iu vunë në dispozicion një grupi kriminal, i cili përdor ndër të tjera pengmarrjen e rivalëve për të siguruar tenderat dhe para publike. Ndërsa zbulojnë një skemë abuzime me paratë publike hetimet e SPAK po ashtu ngrenë pikëpyetje mbi cënimin e sigurisë kombëtare.

Personat e përfshirë në këtë skemë nuk janë të panjohur. Ergys Agasi, njihet gjërësisht si biznesmen i duhanit dhe po ashtu kontrollon aksione ne një ekip futbolli në vend, por ai është akuzuar nga opozita si një figurë e errët nën kontrollin e kryeministrit Rama. Ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj akuzoi Agasin në një intervistë televizive se vepronte si ndërmjetës mes grupeve kriminale dhe Ramës. Agasi i ka mohuar më parë akuzat.

Beqiraj po ashtu është një figurë e njohur, i përfshirë më shumë se njëherë në intrigat politike në vend. Ai ishte një nga ekspertët që “ndihmoi” në pavlefshmërinë e provave ndaj ish-Presidentit Ilir Meta në kohën kur ky u shfaq në një video, përmbajtja e së cilës aludonte për akte korruptive. Beqiraj po ashtu u bë personazh edhe në atë që u pretendua si fshirje apo kopjim i sistemit të tatimeve në vitin 2015. Sipas të dhënave nga Open Spending Albania, kompanitë e tij kanë marrë 2.1 miliardë lekë nga AKSHI.

E pyetur nga BIRN mbi operacionin e SPAK, kryeministria nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.