Plagoset me armë “Gucci” i TikTok-ut, identifikohet autori
Personazhi i njohur i TikTok-ut, Fabion Kuci, i njohur si Gucci, ka mbetur i plagosur mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit, në lagjen nr. 9, e njohur si Lagjja e Re, pas një konflikti që përfundoi me përdorim dhune. Ngjarja ka ndodhur në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet, ndërsa i dëmtuari është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar i ngjarjes është identifikuar dhe strukturat e rendit janë angazhuar për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Ende nuk janë bërë publike detaje të plota mbi motivet e konfliktit, por hetimet paraprake po përqendrohen në sqarimin e rrethanave që çuan në plagosjen e të riut.
I plagosuri është identifikuar si Fabion Kuçi, një person me precedentë penalë jashtë territorit shqiptar. Sipas të dhënave, Kuçi ka qenë i dënuar më parë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra të ndryshme penale dhe ka vuajtur disa vite burg. Ai ishte kthyer në Shqipëri vetëm disa muaj më parë.
Gjatë kësaj periudhe, Kuçi ishte bërë aktiv në rrjetin social TikTok, ku njihej për përfshirjen e tij në debate dhe përplasje virtuale me disa personazhe të njohur të platformës, mes tyre Kozak Braçi dhe Xhemal Ujka, i njohur ndryshe si “Fire”. Hetuesit po verifikojnë nëse këto konflikte kanë lidhje me ngjarjen e ndodhur në Durrës.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe u bën thirrje qytetarëve që mund të kenë qenë dëshmitarë të incidentit në Lagjen e Re, të bashkëpunojnë me autoritetet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
