Thu, Dec 18, 2025

Apeli ngrin pezullimin e Ballukut nga detyra deri në vendimin e Kushtetueses

Apeli ngrin pezullimin e Ballukut nga detyra deri në vendimin e Kushtetueses
  • PublishedDecember 18, 2025

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi të enjten më 18 dhjetor të pezullojë shqyrtimin gjyqësor të çështjes së lidhur me ankimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku ndaj vendimarrjeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për pezullimin e saj nga detyra dhe vijimin e kësaj mase sigurimi personal. Pezullimi i shqyrtimit të kësaj pjese të ankimit të Ballukut, është pezulluar deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes me objekt kërkesën e Kryeministrit Edi Rama, për heqjen e masës për pezullimin nga detyra të zëvendëses së tij.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Miliana Muça, e cila nga ana tjetër ka miratuar vendimarrjet e Shkallës së Parë përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke e rrëzuar kërkesën e Ballukut në këtë rast.

Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash të premten më 12 dhjetor, të rikthejë në zyrën e saj të punës zëvendëskryeministren, Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila u pezullua nga detyra dhe i’u ndalua dalja jashtë vendit, me kërkesë të SPAK, që e mori të pandehur në muajin nëntor për shkelje të barazisë në dy tendera me vlerë 210 milionë euro. Pesë nga tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese arsyetuan se pezullimi i Ballukut “rrezikonte të sillte pasoja që preknin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore”.

Pak ditë pas kësaj vendimarrjeje të Kushtetueses, të martën, SPAK dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për të lejuar arrestimin e Ballukut, nën akuzë për manipulimin e një sërë tenderash të Unazës së re me vlerë dhjetëra miliona euro.  Përveç dy hetimeve të mëparshme për tunelin e Llogarasë dhe një lot të Unazës së Madhe, SPAK njoftoi të martën se Balluku ka marrë cilësinë e personit në hetim për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi lidhur me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, tendera të zhvilluar në shtator të vitit 2021.

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi miratimin e caktimit dhe vazhdimit të masave të sigurimit arrest shtëpie për dy vartësit e Ballukut, drejtorin e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe administratorin e KESH, Erald Elezi.

Të premten, në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve në Kuvend, do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e mandatit të Ballukut, që do të passillte lejimin e arrestimit të saj.