Probleme ligjore për Wiz Khalifa, rrezikon të dënohet me burg në Rumani
Reperi amerikan Wiz Khalifa po përballet me një situatë serioze ligjore në Rumani, ku rrezikon të vuajë një dënim prej nëntë muajsh burg për posedim marijuane. Megjithatë, pavarësisht vendimit të fundit të autoriteteve rumune, artisti shpreson ende në një alternativë ndaj burgimit, ndërsa procesi ligjor nuk konsiderohet ende i përfunduar.
Sipas mediave të huaja, të enjten, më 18 dhjetor, Gjykata e Apelit e Konstancës pranoi një ankesë të paraqitur nga DIICOT, zyra e prokurorisë kompetente për krimin e organizuar dhe terrorizmin në rajon. Me këtë vendim, gjykata rrëzoi pjesërisht vendimin e mëparshëm, duke e dënuar reperin me nëntë muaj heqje lirie, pavarësisht se fillimisht ai ishte dënuar vetëm me një gjobë prej 3,000 lei, rreth 700 dollarë amerikanë.
Asgjë nuk është finalizuar ende, pasi ekipi ligjor i Wiz Khalifa-s ka nisur tashmë procedurat e apelimit. Sipas këtyre burimeve, synimi i mbrojtjes është që dënimi me burg të zëvendësohet me një masë alternative, duke marrë parasysh rrethanat e ngjarjes dhe faktin se bëhet fjalë për posedim të një sasie të vogël.
Ngjarja që çoi në përballjen ligjore të reperit ndodhi në korrik të vitit 2024, gjatë performancës së tij në festivalin Beach Please! në Costinesti. Gjatë koncertit, Wiz Khalifa ndezi një cigare me marijuanë në skenë, ndërsa kërcente nën tingujt e këngës ikonike “The Next Episode” nga Dr. Dre dhe Snoop Dogg.
Veprimi u filmua dhe u vu re nga autoritetet, të cilat ndërhynë menjëherë pas përfundimit të performancës. Reperi u arrestua dhe u mbajt për një kohë të shkurtër, përpara se të lirohej, ndërsa ndaj tij u hap procedura penale.
