Alis flet pas fitores në Fest 64: Ende nuk më besohet
Kënga “Nan” u shpall fituese e Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, duke i dhuruar artistit Alis një moment të paharrueshëm. Kënga fituese u shpall përmes votimit të jurisë profesioniste, bashkuar me votat me SMS nga Shqipëria dhe Kosova.
Në Post Fest 64, ai ndau emocionet e fitores, duke e cilësuar si realizimin e një ëndrre të madhe.
“Jam njeriu më i lumtur në botë dhe nuk më besohet akoma. Më është bërë ëndrra realitet dhe qershia mbi tortë ishte përqafimi i publikut që nuk e prisja të ishte në këtë masë. E prisja të më shtynte për mirë, të ishte ai suporti i përhershëm që kam pas, por jo në këtë formë. Ishte një surprizë dhe kam mbetur pa fjalë,” tha Alis.
Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me këngën “Ta kam fal”, ndjekur nga Sheila me “Zemra e tokës” në vendin e tretë.
Në vendin e katërt u pozicionua dueti i Fifit dhe Tiri Gjocit, “Rri”, dhe top 5-shja u plotësua me “Kur fjala mbaron” nga Vedat Ademi.
Eurovision Song Contest 2026 do të zhillohet në Vjenë, Austri, pas fitores së JJ me këngën “Wasted Love” vitin e kaluar. Konkursi do të mbahet më datat 12, 14 dhe 16 maj.
