I nënshtrohet operacionit në gju, Neymar në garë me kohën për të mos humbur Botërorin
Neymar ka kaluar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale në gju, pas dëmtimit që pësoi gjatë ndeshjes së kampionatit brazilian, aty ku Santos u përball me Internacional . Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi brazilian, ku konfirmohet se operacioni ka pasuar një kurs të suksesshëm dhe tani lojtari do të fillojë periudhën e rikuperimit.
Për momentin, Neymar do të mbetet jashtë fushave për disa javë, por objektivi i tij është që të rikuperohet sa më shpejt për të qenë në formë të plotë për Botërorin që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Sipas njoftimit zyrtar të klubit thuhet se stafi mjekësor do të monitorojë nga afër procesin e rikuperimit të brazilianit, i cili shpreson të jetë gati për ndeshjet e rëndësishme të kombëtares së Brazilit në Kupën e Botës, që është edhe objektivi kryesor për sulmuesin 33 vjeçar, duke qenë se me shumë gjasa ky pritet të jetë Botërori i tij i fundit.
Për Neymar, ky është një moment delikat, pasi dëmtimi i gju mund të ndikojë në periudhën e tij në fushë, por ai ka shprehur besimin se do të arrijë të rikuperohet në kohë për të qenë pjesë e ekipit të drejtuar nga italiani Carlo Ancelotti.
