Tue, Dec 23, 2025

Reagimi emocional i nënës së Shpat Kasapit për Selvijen: Ai ndërroi jetë në krahët e saj

Reagimi emocional i nënës së Shpat Kasapit për Selvijen: Ai ndërroi jetë në krahët e saj
  • PublishedDecember 23, 2025

Nëna e Shpat Kasapit, Gjylymser Kasapi, ka reaguar së fundmi me një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që kanë qëndruar pranë familjes në këto momente të vështira dhe të dhimbshme. Përmes fjalëve të saj, ajo ka falënderuar miq, familjarë dhe të gjithë dashamirësit që kanë treguar solidaritet dhe respekt gjatë kësaj periudhe të rëndë.

Një falënderim i veçantë në mesazhin e saj i është drejtuar nuses së Shpatit, Selvijes, të cilën Gjylymser e përshkruan me superlativa si një bashkëshorte të devotshme dhe një nënë të shkëlqyer për nipin e saj të vogël, Roelin. Ajo thekson se dashuria, butësia dhe përkushtimi i Selvijes ndaj Shpatit dhe familjes së tyre kanë qenë të jashtëzakonshme, duke nënvizuar se këto cilësi ishin arsyeja pse Shpati e adhuronte aq shumë.

“Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj Selvijen time të dashur, shpirtin e shtëpisë së Shpatit, e cila ishte jo vetëm një bashkëshorte e përkushtuar, por edhe një nënë e shkëlqyeshme,” shkruan ajo, duke shtuar se fakti që Shpati ndërroi jetë në krahët e saj flet më shumë se çdo fjalë për lidhjen e tyre të fortë.

Në fund të reagimit, Gjylymser Kasapi paralajmëron se çdo spekulim apo keqinterpretim lidhur me ngjarjen nuk do të tolerohet, duke kërkuar respekt për dhimbjen e familjes dhe, veçanërisht, për Selvijen. Ajo thekson se çdo tejkalim i kufijve do të dënohet jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht.