Thu, Dec 25, 2025

Loredana donte ndryshim ambienti, Borusia Dortmund nxjerr në shitje Adejemin

Loredana donte ndryshim ambienti, Borusia Dortmund nxjerr në shitje Adejemin
  • PublishedDecember 25, 2025

Situata e Karim Adeyemi te Borussia Dortmund po shkon drejt një epilogu të qartë. Mediat gjermane raportojnë se klubi i Bundesligës ka vendosur të mos i vendosë më pengesa largimit të sulmuesit në merkato e janarit, duke e nxjerrë zyrtarisht në shitje kartonin e tij.

Sipas burimeve pranë klubit, Adeyemi ka shprehur prej kohësh pakënaqësi me jetën në Dortmund dhe ka kërkuar transferimin në një qytet më të madh evropian. Kjo dëshirë, mësohet se është ndikuar jo vetëm nga aspekti sportiv, por edhe nga jeta personale e futbollistit, konkretisht nga kërkesa e partneres së tij, këngëtares Loredana, për një ndryshim ambienti.

Fillimisht, drejtuesit e Dortmundit kishin refuzuar ta konsideronin largimin e lojtarit, duke e parë atë si një element të rëndësishëm për projektin e skuadrës. Megjithatë, dinamika ndryshoi ndjeshëm pas zhvillimeve të fundit në fushë. Në një nga ndeshjet e fundit, Adeyemi pati një përplasje me kundërshtarët, ndërsa më pas, pas zëvendësimit, u largua menjëherë nga pankina, një veprim që u interpretua si shenjë pakënaqësie dhe tensioni me stafin teknik.

Pas këtyre episodeve, te Borussia Dortmund mësohet se kanë “ngritur flamurin e bardhë”, duke pranuar se mbajtja e lojtarit kundër dëshirës së tij nuk do të ishte zgjidhje. Për këtë arsye, klubi është i gatshëm ta dëgjojë çdo ofertë serioze që mund të vijë gjatë merkatos së janarit.

Interes konkret për Adeyemin kanë shfaqur disa nga klubet më të mëdha të Europës. Në krye të listës janë Manchester United dhe Barcelona, të cilat po monitorojnë nga afër situatën e sulmuesit gjerman dhe janë të gatshme të hyjnë në negociata.

Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. Borussia Dortmund ka vendosur një çmim rreth 60 milionë euro për kartonin e lojtarit, një shifër që mund të përbëjë pengesë serioze, veçanërisht për Barcelonën, e cila vijon të përballet me kufizime financiare. Edhe pse interesimi ekziston, mbetet për t’u parë nëse klubet e interesuara do të jenë të gatshme të përmbushin kërkesat financiare të gjermanëve.