Mon, Dec 29, 2025

Janari i Partizanit, axhendë sfiduese për të kuqtë e Kërnajës

Janari i Partizanit, axhendë sfiduese për të kuqtë e Kërnajës
  • PublishedDecember 29, 2025

Partizani është njohur me axhendën e muajit janar. FSHF ka konfirmuar çdo gjë për ndeshjet e Superiores dhe Kupës së Shqipërisë gjatë kësaj kohe. Bëhet fjalë për pesë ndeshje në total, që do të zhvillohet nga data 10 janar dhe deri në fundin e muaji.

Tri ndeshje janë ruajtur për të shtunat e muajit janar, ndërsa ndeshje rezervohen edhe ditëve të hëna apo të enjten. Fakt është se në pesë ndeshje ka katër orare të ndryshme ku të kuqtë duhet të zbresin në fushë. Ora 13:00, 13:30, 16:30 dhe 17:00. Gjithçka nis me Kupën e Shqipërisë dhe më pas kalon nga java e 19 e Superiores deri në javën e 22.

 

KUPA- Partizani do e presë Burrelin më 10 janar, te stadiumi “Arena e Demave”. Njëjtë si ndeshjet e tjera, ky takim do të nisë në orën 13:00. Të dyja skuadrat luftojnë për një vend në çerekfinale.

 

Ndeshja është tek dhe me eliminim direkt, ndërsa për të vendosur fituesin mund të shkojë deri te penalltitë. Kupa është si objektiv për Partizanin gjatë këtij sezoni, pasi shikohet si opsioni i vetëm që mund të sigurojë Europën. Trofeu i dytë më i rëndësishëm në futbollin shqiptar, i mungon Partizanit prej vitit 2004. Deri në atë periudhë, Partizani ishte klubi që e kishte fituar më tepër trofeun e Kupës. Më pas pasuan zhgënjimet e mëdha.

 

KAMPIONATI- Janë katër javë të Superiores, që u njohën së fundmi me axhendën nga FSHF. Partizani konsiderohet pritës ndaj Vorës, por për shkak të marrëveshjes në fazën e dytë, ky takim do të zhvillohet në Vorë. Kështu nuk është një disavantazh i vogël. Vorakët do e kenë më 15 janar, ndeshjen e parë në stadiumin e rikonstruktuar.

 

Vora është një rival, që duhet mposhtur për të krijuar distancë sigurie me pjesën që lufton për të mos rënë nga kategoria. Vetëm katër ditë më vonë, sërish në ditë jave, Partizani do të presë Teutën. Ky takim është rezevuar për në orën 17:00 tek “Arena e Demave”. Në të njëjtën javë, por në një ditë të shtunë, Partizani udhëton në transfertën e vështirë të Vllaznisë. Ky takim që shikohet edhe si supersfidë për muajin janar te Partizani, do të nisë prej orës 16:30. Muaji janar mbyllet me ndeshje në ditën e fundit të saj. Pas Vllaznisë është një tjetër duel emocionues. Partizani do të presë Elbasanin tek “Arena e Demave”. Sfida e javës së 22 do të nisë në orën 16:30.