Kiara Tito reagon ndaj komenteve: Nuk ka kuptim të marr burrin për të më mbrojtur
E ftuar në emisionin e mëngjesit Wake Up, Kiara Tito ka reaguar për herë të parë publikisht ndaj komenteve dhe polemikave që shpërthyen në rrjetet sociale pas prezantimit që Luiz Ejlli i bëri asaj në ditën e parë të Fan Club Big Brother VIP.
Kiara sqaroi se momenti i prezantimit, i cili u interpretua nga disa si një “mbrojtje” nga ana e Luizit, nuk kishte aspak këtë kuptim. Ajo theksoi se reagimet kanë qenë të ekzagjeruara dhe se nuk e ndjen nevojën që bashkëshorti i saj ta “mbrojë” publikisht.
“Nuk ka kuptim të marr burrin për të më mbrojtur. Në fakt, isha me dorë në zemër në momentin që doli Luizi, duke e ditur natyrën e tij spontane. Por ishte një gjë shumë e bukur,” u shpreh Kiara.
Moderatorja sqaroi se fjalët e Luizit nuk kishin lidhje me ndonjë mbrojtje nga televizioni apo nga situata të caktuara, por ishin thjesht pjesë e mënyrës së tij të shprehjes. Sipas saj, shumë persona mund ta kenë keqinterpretuar situatën duke u fokusuar te ideja se pse Luizi duhej të fliste në emër të saj, ndërkohë që mesazhi ishte krejtësisht ndryshe.
Gjatë prezantimit, Luizi u shpreh se Kiara “është një vajzë që është munduar të lihet në hije, por hija s’e mbulon dritën, ajo është drita e diellit”. Kiara shpjegoi se kjo frazë ishte një reagim ndaj kritikave të vazhdueshme në rrjetet sociale.
“Ishte një thirrje për ato komente që vazhdimisht kritikojnë, gjykojnë dhe në një farë mënyre ndikojnë edhe te familja. Dakord, nuk i pëlqejmë të gjithëve, por ishte një mënyrë ndryshe për ta thënë këtë,” tha ajo.
