Wed, Jan 7, 2026

Premier League/ Chelsea frenon City-n në “frymën e fundit”, Pep Guardiola justifikohet: Ata janë kampionët e Botës, jo ekip akademie

Premier League/ Chelsea frenon City-n në “frymën e fundit”, Pep Guardiola justifikohet: Ata janë kampionët e Botës, jo ekip akademie
  • PublishedJanuary 5, 2026

Java e 20 e Premier League e zhvilluar të dielën, mund të konsiderohet si java e barazimeve, kjo pasi skuadrat big nuk shkuan më shumë se sa shenja “X”. Sfida kryesore ishte ajo e zhvilluar mes Manchester City dhe Chelsea në “Etihad”. Tijani Reijnders zhbllokoi rezultatin në minutën e 42. Skuadra e Pep Guardiolës u mundua të administronte avantazhin gjatë fraksionit të dytë, pa mundur dot të mbyllte ndeshjen. Ndërkohë “blutë e Londrës” pa Marescën e shkarkuar në pankinë e në pritje të zyrtarizimit të teknikut të ri, gjetën forca duke mos u dorëzuar deri në fund dhe mundi i tyre u shpërblye pikërisht në “frymën e fundit”, teksa në kohën shtesë do të ishte Enzo Fernandez që përfitoi nga një rrëmujë në zone e mposhti italianin Gianluigi Donnarumma, duke fiksuar shifrat përfundimtare në 1-1. Një barazim që lë shije të hidhur tek “qytetarët”, që tashmë e shohin veten të larguar me 7 pikë diferencë nga kryesuesit e Arsenalit.

Një barazim që shqetëson padyshim edhe teknikun spanjoll Pep Guardiola, që e komentoi kështu sfidën ndaj londinezëve:

“Mendoj se e kontrolluam totalisht lojën në gjysmën e parë, por ata bënë ndryshime dhe morën momentin. . Ata kishin mundësitë sepse humbëm dy topa në gjysmën e dytë Chelsea është një ekip kampion bote. Nuk është një ekip akademie. Nëntëdhjetë minuta kundër tyre janë të vështira. Ne humbëm mundësi në gjysmën e dytë. Patëm shanset tona të mbylnlin lojën dhe nuk e bëmë.’ Duhet të konkludonim mundësitë: ‘Do të rikuperojmë lojtarët për sfidën e radhës të mërkurën’”.