Wed, Jan 7, 2026

Martesa iu kthye në ferr, humbi babain gjatë Covid-it, rrëfimi prekës i Hygerta Sakos

Martesa iu kthye në ferr, humbi babain gjatë Covid-it, rrëfimi prekës i Hygerta Sakos
  • PublishedJanuary 6, 2026

Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Hygerta Sako, ka ndarë me publikun historinë e saj personale duke prekur tema të ndjeshme si humbja familjare, izolimi gjatë pandemisë, një martesë e vështirë dhe sfidat me të cilat është përballur vajza e saj.

Prezantuesja e sportit tregoi se në mars të vitit 2020 humbi babanë, vetëm tri ditë pasi ai kishte pësuar një sulm në tru, në kulmin e pandemisë COVID-19. Ajo e përshkroi momentin si një nga më të dhimbshmit e jetës së saj.

“Është një pamje që nuk e harroj dot. Edhe pse po bëhen gjashtë vjet, më vjen shpesh ndër mend dhe më dhemb shumë,” u shpreh Sako.

Hygerta zbuloi se për shkak të masave kufizuese, babai i saj u varros në praninë e vetëm 39 personave, çka e bëri dhimbjen edhe më të rëndë për familjen.

“Sinqerisht, mu duk sikur e humba babanë për herën e dytë. Më 12 mars u vendos karantina dhe mbeta e izoluar në shtëpi vetëm me mamin dhe vajzën,” tha ajo.

Pas rrëfimit për humbjen e të atit, Hygerta foli edhe për jetën e saj martesore, të cilën e përshkroi si një periudhë shumë të vështirë dhe emocionalisht të rënduar. Një nga momentet më prekëse të rrëfimit ishte ai kur foli për vajzën e saj, e cila kishte kaluar një periudhë të vështirë në shkollë për shkak të bullizmit. Hygerta tregoi se e kishte gjetur vajzën në gjendje të rënduar emocionale, një përvojë që e tronditi thellë si nënë.

Rrëfimi emocional u mbyll me një moment pozitiv, kur Hygerta u surprizua nga e bija, e cila hyri në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova për ta takuar, duke sjellë emocione të forta si për banoren, ashtu edhe për publikun.