Wed, Jan 7, 2026

Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje masive në Durrës

Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje masive në Durrës
  • PublishedJanuary 6, 2026

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit, kanë shkaktuar përmbytje rrugësh dhe dëme të shumta materiale në bashkinë e Durrësit.

Bashkia njofton se është pezulluar mësimi në të gjitha shkollat, në pesë kopshte dhe një çerdhe si dhe është bllokuar qarkullimi në 13 rrugë në lagjet nr. 12, 13, 14, 17 dhe 18. Gjithashtu, ka bllokime të qarkullimit nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri.

“Qyteti i Durrësit është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat kanë sjellë probleme të shumta në disa zona të territorit të bashkisë,” tha bashkia në një njoftim për shtyp.

“Në kodrën e Currilave janë evidentuar rrëshqitje dheu, ndërsa disa akse rrugore janë bërë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura,” shtoi ajo.

Kjo nuk është hera e parë që qytetit bregdetar përmbytet nga reshjet e shiut. Ndryshe nga bashkia, politikanë të opozitës kanë fajësuar keqadministrimin e qytetit dhe korrupsionin për situatën e krijuar.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), situata e rënduar meteorologjike ka nisur të ndikojë disa prej qyteteve kryesore të vendit që në mëngjesin e 6 janarit dhe pritet të vijojë edhe përgjatë të mërkurës dhe të enjtes.

Qarqet e prekura më së shumti nga reshjet e dendura dhe përmbytjet janë Durrësi, Shkodra, Lezha, Kukësi, Elbasani, Vlora dhe Gjirokastra.

“Në këto qarqe mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash,” shkruan njoftimi i IGJEO-s. “Në zonat urbane mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve,” vijon më tej njoftimi.

Sipas bashkisë së Durrësit, situatë problematike paraqitet edhe në njësinë administrative Rrashbull, si edhe në Manzë, ku ura e fshatit Borç rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit. Në këtë fshat janë evakuuar 10 familje, me nga 3-4 anëtarë secila, të cilat janë sistemuar pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Përmbytje janë konstatuar edhe në nënkalimin e instalacionit “Veliera” në Durrës, pranë hyrjes së portit detar, duke bllokuar një nga akset kryesore rrugore drejt shëtitores “Taulantia”. Sipas përfaqësuesve të opozitës, bllokimi i këtij nënkalimi, që ka kushtuar rreth 12 milionë euro, është tregues i keqadministrimit të qytetit.

Në një video të postuar në rrjetin social Facebook nga instalacioni “Veliera”, përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë, Artan Kacani, akuzoi bashkinë se, ndërsa kishte përqendruar përpjekjet për të zhbllokuar këtë nënkalim – një projekt i pilotuar nga kryeministri Edi Rama – nuk kishte ardhur në ndihmë të banorëve në lagje të tjera të qytetit.

“Kjo është Veliera e famshme e qytetit prej 12 milionë euro,” shprehet Kacani, duke akuzuar autoritetet se nuk po i vijnë në ndihmë zonës së Porto Romanos. “Janë këtu për të zhbllokuar tubacionet e Edi Ramës dhe Eni Sakos,” shtoi ai, duke iu referuar kryeministrit dhe kryetares së bashkisë së Durrësit si përgjegjës për situatën.

Në një postim të mëhershëm, Kacani akuzoi autoritetet dhe kompaninë Kastrati, i cila administron portin e Porto Romanos, për përmbytjen e qytetit.

“Qyteti i Durrësit përmbytet sepse injorantët në pushtet kanë mbyllur kanalin kullues të ujërave të kodrës,” shkruan ai. “Plus oligarku Kastrati, në fund ku duhet të shkarkonte kanali, e ka mbyllur për të bërë portin e tij privat,” shtoi Kacani.

Në një reagim për BIRN, grupi Kastrati i hodhi poshtë akuzat e Kacanit.

“Porti MBM, pjesë e Kastrati Group, ka zhvilluar dhe operon që nga viti 2019 një infrastrukturë portuale multifunksionale në zonën e Porto Romanos,” tha kompania nëpërmjet një zëdhënësje, ndërsa shtoi se “hidrovori ekzistues dhe hidrovori i vjetër funksionojnë në mënyrë krejtësisht të pavarur nga Porti MBM.”

“Funksionimi i tyre nuk është cenuar në asnjë moment nga aktiviteti portual dhe kjo gjë mund të vërtetohet lehtësisht në terren,” theksoi kompania.

Për përmbytjet në Durrës ka reaguar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

“Fotografitë e sotme janë pasqyra e vërtetë e Durrësit të qeverisur nga propaganda: miliona euro investime të dështuara, projekte fasadë, punë të bëra për të vjedhur, jo për qytetarët, jo për interesin publik, por për të shpërdoruar paratë e shqiptarëve,” shkruan ai në Facebook, duke akuzuar mazhorancën për korrupsion.

“Tenderi i idrovoreve, ashtu si Veliera, janë bërë për të vjedhur miliona euro dhe ndërkohë idrovori që duhet të pomponte ujërat ka pompuar miliona euro për xhepat e klientëve të pushtetit, por nuk punon,” shtoi ai.

Probleme nga reshjet janë shkaktuar edhe në burgun e Durrësit, i cili është inspektuar nga Ministri i Drejtësisë, Befort Lamallari.

“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme me stakimin e energjisë elektrike në katin e parë dhe evakuimin në katet më sipër teksa po mbajmë situatën në monitorim të vazhdueshëm deri në rikthimin në normalitet të plotë,” deklaroi Lamallari në Facebook.

Ndërkohë, kryeministri Rama, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Paris, njoftoi se në kaskadën e Drinit, si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

“Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë,” shkruan Rama.

Probleme për shkak të shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës pritet të shkaktohen edhe në bashkinë Lezhë. Në një postim në Facebook, kryebashkiaku Pjerin Ndreu tha se po e monitorojnë situatën së bashku me drejtues të Agjencisë për Mbrojtjen Civile.