Wed, Jan 7, 2026

Revolucion bardheblu, Tirana “shpërthen” në merkato, tani synon edhe Xhixhën

Revolucion bardheblu, Tirana “shpërthen” në merkato, tani synon edhe Xhixhën
  • PublishedJanuary 6, 2026

Në kryeqytet, në shtëpinë e Tiranës, po vihet në jetë një revolucion i vërtetë, në një kohë kur në gjysmën e parë të sezonit bardheblutë dështuan totalisht duke mbyllur vitin në vendin e fundit me 10 pikë në 18 javë. Prej kohësh, trajneri Nuhiu edhe pjesa tjetër e stafit drejtues po prisnin me padurim merkaton e janarit për të ndryshuar situatën.

Pa u mbyllur mirë viti, Tirana largoi në bllok 9 lojtarë, ndërsa tani është koha për të përforcuar ekipin. Në letër, Tirana po zhvillon një super merkaton, të paktën deri më tani, pasi po afrojnë në kryeqytet lojtarë me vlerë shumë të lart në tregun e transferimeve.

I pari që zbarkoi në kryeqytet ishte mesfushori 24-vjeçar Patrik Myslovic, për të vijuar më pas me mbrojtësin Johan Enrique Cortes Alfaro. Ndërkohë goditja e fundit ishte mesfushori ofensivë nga Costa Rica, Freddy Antonio Álvarez Rodríguez. Këto janë 3 blerjet e para të bëra zyrtare, por në kryeqytet kanë zbarkuar edhe lojtarë të tjerë si Ernest, ndërsa ofensiva e blerjeve pritet të vijojë, me shpresën që trajneri Nuhiu të ketë në dispozicion një ekip konkurrues.

Panorama Sport
Panorama Sport

E përditshmja më e madhe sportive në vend “Panorama Sport”, bën me dije se goditja e madhe e Tiranës në këtë merkato dimri do të jetë Redon Xhixha. Ish sulmuesi bardheblu pritet të rikthyer në kryeqytet pas afro 3 vitesh. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që emri i Xhixhës lakohet për një rikthim te Tirana, por me sa duket këtë herë janë pjekur të gjithë kushtet për të vënë në jetë një rikthimin e Xhixhës në radhët e Tiranës.