Thu, Jan 8, 2026

Ironia e Ramës me përmbytjet ngjall zemërim mes partive opozitare

Ironia e Ramës me përmbytjet ngjall zemërim mes partive opozitare
  • PublishedJanuary 7, 2026

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e mërkurë me ironi dhe nota tallëse, ndërkohë që shirat e rrëmbyer të dy ditëve të fundit kanë shkaktuar një situatë dramatike në disa qytete të vendit, ku janë përmbytur me mijëra shtëpi.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf,” shkroi Rama përmes një statusi në platformën X.

Pak më vonë, ai fajësoi qytetarët për pakujdesinë në hedhjen e plehrave “nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut”, duke e shoqëruar me foto të bllokimit të kanaleve kulluese në Shkozet të Durrësit.

Qëndrimet e kryeministrit ngjallën reagime më të forta nga opozita, e cila e akuzoi Ramën se “po bën sehir si një cinik” dhe kërkoi që të shpallet gjendja së fatkeqësisë natyrore.

“Edi Rama apo Ramaduro po bën sehir, nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore,” tha kreu i PD-së, Sali Berisha.

Edhe partitë e tjera opozitare akuzuan qeverinë për situatën, duke i parë përmbytjet si pasojë e paaftësisë dhe korrupsionit qeverisës,ndërsa e sjelljen e Ramës si një tentativë për të tërhequr vëmendjen nga aferat korruptive me të cilat po përballet qeveria e tij.

“Çdo fatkeqësi natyrore përballohet më lehtë nëse paratë e shqiptarëve nuk shkojnë në xhepat e Ballukut dhe oligarkëve, por në investime për parandalimin e këtyre situatave dhe në dëmshpërblime për të dëmtuarit nga përmbytjet,” tha për BIRN Agron Shehaj, kryetar i Partisë Mundësia.

Reagimet e kryeministrit, sipas Shehajt, janë “tentativë për të bërë çmos që të shmangë vëmendjen nga aferat korruptive dhe përballjen me drejtësinë”.

Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë i konsideron ironitë e Ramës me përmbytjet si tregues i “papërgjegjshmërisë së tij dhe të qeverisë që drejton”.

“Shiu është fenomen natyror, por përmbytet kanë një dimension të rëndësishëm shtetëror. Qytete si Durrësi, Vlora etj. përmbyten gjithnjë e më shumë për shkak të mungesës së planeve të qëndrueshme urbanistike dhe interesave të oligarkëve dhe drejtuesve të organizatave kriminale që pastrojnë paratë nëpërmjet ndërtimeve vend e pa vend dhe betonizimit të hapësirës urbane,” tha ai.

Sipas Qorit, ngado nëpër Shqipëri rrjeti i kanalizimeve është i vjetruar dhe i degraduar, çka është sërish përgjegjësi e institucioneve qeverisëse.

“Më gjerësisht, aty ku korrupsioni nuk është përjashtim, por mënyrë qeverisjeje, organet e shtetit degradojnë edhe më keq se kanalizimet, duke i lënë qytetarët në mëshirën e fenomeneve natyrore,” theksoi Qori.

Adriatik Lapaj, kryetar i “Shqipëria Bëhet’, i cili prej disa javësh po proteston pandërprerë para kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e Ramës, zgjodhi të përdorë fjalët e Ramës kur ishte në opozitë për të përshkruar atë që po ndodh sot.

“Sa herë vendi ynë zgjohet në përmbytje, nuk mund të mos kujtoj çfarë thoshte Edi Rama i kohës që donte të bëhej Kryeministër; ‘Përmbytja është akuza më kuptimplotë për faktin se asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur. Përmbytja nuk ndodh për shkak të Zotit, nuk ndodh as nga tërbimi e harbimi i motit, por ndodh sepse Shqipëria nuk qeveriset. Sepse nuk ka në këtë vend një qeveri të shqiptarëve, por një çetë kusarësh…,” citoi Lapaj.

Sigurisht, shtoi Lapaj,  “që unë mendoj se ka përmbytje të natyrës që nuk i shmang dot, por besoj nuk ka diskutim se mbytja e Gjirokastrës është pasojë e çetës së hajdutëve, që me makutërinë e tyre përmbytën dhe 1 qytet që ka pjerrësi 60 gradë”.