Thu, Jan 8, 2026

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë evakuime dhe pakënaqësi në Shqipëri

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë evakuime dhe pakënaqësi në Shqipëri
  • PublishedJanuary 7, 2026

Disa qytete dhe fshatra janë prekur rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm që filluan të martën në Shqipëri, duke shkaktuar mbylljen e shkollave në Durrës, një nga qytetet më të dëmtuara.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka publikuar ende një raport të dëmeve të deritanishme, por situata duket dramatike në disa qytete. Lideri i opozitës, Sali Berisha i bëri thirrje qeverisë që të deklarojë gjendjen e emergjencës në zonat e prekura. “Dëmi është shumë i madh,” tha ai.

Prokuroria e Durrësit heton për shkaqet dhe përgjegjësit e përmbytjeve
Një rrugë e përmbytur në Durrës. Foto: Isa Myzyraj.

Në njërin nga qytetet më të prekura, në Gjirokastër, disa rrugë dhe shtëpi u përmbytën.

“Mbi 100 punonjës, dhjetëra automjete dhe pompa me kapacitet të lartë janë vendosur në Lezhë, Durrës, Gjirokastër dhe kudo që është e nevojshme, ndërsa përgatitemi për një ditë tjetër në vijën e frontit, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për t’u përballur me çdo situatë”, tha të mërkurën Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Një shtëpi e përmbytur në zonën e Durrësit. Foto: Isa Myzyraj.

Opozita ka fajësuar qeverinë për mungesën e mirëmbajtjes së sistemeve të kullimit, duke deklaruar se kjo është arsyeja kryesore e përmbytjeve.

“Situata është më shumë se dramatike, është një katastrofë e shkaktuar nga njerëzit. Ka pasur mbi 30 milionë euro investime në ndërtimin e sistemit të kullimit vitet e fundit dhe ky është rezultati. Gjatë një viti kjo zonë është përmbytur tre herë,” tha të mërkurën Oerd Bylykbashi, një deputet i Partisë Demokratike, duke iu referuar zonës së Durrësit.

Një shtëpi e dëmtuar nga përmbytjet në Durrës. Foto: Isa Myzyraj.

Rreth 20 persona në Durrës u mblodhën në shenjë proteste të mërkurën, duke u ankuar se shtëpitë e tyre ishin përmbytur, por askush nuk kishte shkuar për të parë nga afër situatën. Në zonën veriore të Dibrës, sipas raportimeve mediatike, gjashtë familje janë bllokuar nga uji në fshatin Xibra.

Një lagje e përmbytur në bashkinë e Durrësit. Foto: Isa Myzyraj.

Kryeministri Edi Rama tha se kishte probleme në 17 rrugë për shkak të reshjeve, por kundërshtoi akuzat se problemet erdhën për shkak të përgjegjësisë së autoriteteve.

“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë apo qoftë edhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë,” tha ai me ironi.

Një zonjë në mes të ujit në një lagje të përmbytur në Durrës. Foto: Isa Myzyraj.