FSHF-Sylvinho “tym i bardhë”, vjen rinovimi, por çfarë ndodh pas korrikut?
Me Sylvinho-n në stol, Shqipëria vuri në jetë dy kryevepra, e para dhe më e bukura, kualifikimi me spektakël në “Euro2024”, ndërsa për herë të parë në histori i rezervoi edhe një vend në fazën “play-off” të një Botërori. Në kushte të tilla, me ndeshjet e muajit mars në horizont, rinovimi i kontratës ishte i pashmangshëm, por detajet janë gjithnjë ato që bëjnë diferencën. Pa kontratë që nga muaji dhjetor, FSHF doli me një njoftim zyrtar duke bërë me dije se Sylvinho, së bashku me dy asistentët e tij, Zabaleta dhe Dorival, rinovuan kontratën deri në korrik 2026, me një objektiv të qartë, kualifikimin në Botëror.
Duka dhe FSHF shpresojnë që me teknikun brazilian në stol të shkruajnë një kapitull historik, më të rëndësishmin në futbollin shqiptar, të shkojnë në Botëror. Kjo kontratë e vlefshme vetëm për 6 muaj flet qartë, palët, FSHF dhe Sylvinho, nuk kanë një projekt afatgjatë ndërmjet tyre, pasi Botërori shihet si limiti, maksimumi, në çdo rast shkon apo jo Shqipëria në Botëror, është duket thuajse e pamundur që palët të vijojnë me tej bashkëpunimin. Sylvinho është i qartë se nëse arrin të dërgojë Shqipërinë edhe në Botëror ofertat për të do të “vërshonin lum”, ndërsa vetë trajneri i pyetur shpesh për të ardhmen, nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të vijuar karrierën në krye të një klubi të rëndësishëm pasi synon të fitojë Champions League edhe si trajner.

Gjithsesi, në çdo rast, edhe nëse Shqipëria nuk arrin të kualifikohet për në Botëror, nga marsi deri në korrik, edhe nëse nuk gjejnë një akord për zgjidhjen e kontratës me konsensus, FSHF dhe Armand Duka do të kenë kohën e nevojshme për të gjetur një trajner i ri i cili do të drejtojë fillimisht ekipin përfaqësues në ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe më pas në kualifikueset e Evropianit.
Si Duka, por edhe Sylvinho, shpresojnë që së bashku të shkojnë në Botëror, fakt që e ri konfirmoi edhe një herë kreu i FSHF-së me anë të një reagimi në rrjetet sociale pasi institucioni që ai drejton bëri publike rinovimin e kontratës me Sylvinho-n deri në korrik 2026.
