Fri, Jan 9, 2026

Prokuroria e Durrësit heton për shkaqet dhe përgjegjësit e përmbytjeve

Prokuroria e Durrësit heton për shkaqet dhe përgjegjësit e përmbytjeve
  • PublishedJanuary 8, 2026

Prokuroria e Durrësit njoftoi të enjten më 8 janar fillimin e hetimeve për të zbuluar përgjegjësit e pasojave të përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e shitur gjatë ditëve të fundit në qytetin bregdetar. Procedimi është regjistruar kryesisht për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. “Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të reshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqenien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme”, bëhet me dije në njoftim.

Po ashtu, konstatohet se gjendja e krijuar, ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, si dhe përmbytjen e burgut, duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria e Durrësit. Këto të dhëna e rrethana konsiderohen se janë të mjaftueshme dhe të arsyeshme, për të konkluduar se ka fakt penal.

Sipas prokurorisë, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend.

Me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, prokuroria ka regjistruar kryesisht këtë hetim, prej nga do të arrihet në përfundime për ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.

Prej të martës, disa qytete dhe fshatra janë prekur rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm. Megjithëse Ministria e Mbrojtjes nuk ka publikuar ende një raport të dëmeve të deritanishme, situata duket dramatike në disa qytete.

Ndërkohë që opozita ka akuzuar qeverinë dhe institucionet shtetërore në nivel qendror e vendor si përgjegjëse të situatës së krijuar, kryeministri Edi Rama i ka kundërshtuar ato.