Vlahovic “djeg” etapat, gati për sfidën me Inter, Juve bllokon merkaton
Juventus mund të ri gjejë Dusan Vlahovic më shpejt se sa parashikohej. Sipas të përditshmes italiane “TuttoSport”, sulmuesi serb ka “djegur” etapat e rikuperimit dhe mund të zbres në fushë me 2-3 javë më herët se sa pritej. Kjo do të thotë se Vlahovic mund të jetë në dispozicion të Spallettit në mesin e muajit shkurt. Nuk është aspak çudi nëse e shohim Vlahovic në takimin kundër Inter, më 15 shkurt, të paktën kjo është dëshira e madhe e trajnerit të “Zonjës së Vjetër”.
Vlahovic është në bokse që nga 29 nëntor pasi pësoi një tërheqje muskulore në sfidën kundër Cagliarit, por në fillim të dhjetorit nisi menjëherë fazën e rikuperimit. Këto sinjale të ardhura nga Vlahovic pritet të kenë një efekt domino edhe në merkaton e Juves këtë dimër, kjo pasi “Zonja e Vjetër” po studionte tregun për ndonjë afrim të mundshëm në fazën sulmuese.

Gjithnjë sipas të përditshmes torineze, në kushte të tilla, Juve pritet të frenojë, nuk do të ndërhyjë në merkato, me shpresën që Vlahovic realisht të jetë gati në mesin e muajit shkurt. Mes Serie A, Champions dhe Kupës së Italisë, në rastin më të mirë, serbi nuk do të jetë në dispozicion të Spallettit për të paktën edhe tetë ndeshje të tjera.
