Sat, Jan 10, 2026

Benet Beci dërgohet në gjykim për abuzime me tenderin e KESH

Benet Beci dërgohet në gjykim për abuzime me tenderin e KESH
  • PublishedJanuary 9, 2026

Prokuroria e Posaçme njoftoi të premten se ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, përmes favorizimit të një kompanie private në prokurimin me vlerë 69.5 milionë lekë.

Bashkë me Becin akuzohen edhe gjashtë ish-vartës të tij, përfshirë edhe bashkëshortjen e Evis Berberit, ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që ndodhet i arrestuar për vepra të tjera penale.

SPAK njoftoi se kishte marrë gjithashtu të pandehur për të njëjtën akuzë anëtarët e njësisë së prokurimit të KESH, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi e Yllka Nishku, si dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Rudin Gjoni, Premtim Dauti e Adela Ruko.

Sipas njoftimit, Beci akuzohet se ka shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Berberit.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se në këtë procedurë prokurorimi publik, janë evidentuar rrethana fakti për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për shkak të veprimeve të kundërligjshme të Becit në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.

“Nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e Evis Berberit, si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar se Benet Beci…në bashkëpunim me gjashtë vartësit e tij, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k,” thuhet në njoftimin e SPAK.

“Consulting & Management Albania” është një kompani projektimi e themeluar në vitin 2008 me pronar Ervis Myftarin. Sipas SPAK, veprimet e të pandehurve janë kryer në kundërshtim me ligjin “Për prokurimin publik” dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.