Tue, Jan 13, 2026

“Sfida me Kroacinë ishte çmenduri”, rrëfehet Arbër Hoxha: Goli më i bukur? Ai kundër Rijekës

“Sfida me Kroacinë ishte çmenduri”, rrëfehet Arbër Hoxha: Goli më i bukur? Ai kundër Rijekës
  • PublishedJanuary 13, 2026

Arbër Hoxha është kthyer në një lider absolut te Dinamo Zagreb, ndërsa ka fituar kuota gjithnjë e më shumë edhe në radhët e ekipit Kombëtar. Hoxha përjetoi një fund viti magjik, por tifozët e Dinamos dhe ato kuqezi “kryqëzojnë gishtat” që sulmuesi të ruajë të njëjtin ritëm edhe këtë vit, mbi të gjitha gjatë muajit mars, kohë në të cilën Shqipëria do të luajë në fazën “play-off” për të synuar një biletë për në Botëror.

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, Arbër Hoxha u rikthye fillimisht pas në kohë duke theksuar se firma për Dinamo Zagreb ishte gjëja më e mirë që ka bërë në jetë: “Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime. Dinamo është klub i madh, me tifozë të shkëlqyer dhe një përgjegjësi të madhe”, u shpreh Hoxha.

Sulmuesi kuqezi ka shënuar gola të mrekullueshëm me fanellën e Dinamo Zagreb, por veçon një, atë kundër Rijekës: “Goli kundër Rijekës ishte i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe një gol për tri pikë. Momente të tilla mbeten përgjithmonë në kujtesë”, është shprehur Hoxha duke zbuluar më pas objektivin e klubit:

“Gjëja më e rëndësishme është të jemi të parët në kampionat dhe ta sjellim titullin përsëri në Zagreb. Ky është prioriteti i klubit”.

Në fund, nuk mund të mungonte edhe një koment në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Kroaci, e vlefshme për fazën e grupeve në “Euro2024”:

“Ka qenë një ndeshje e çmendur. Kur kemi mbërritur në stadium, gjysma e tribunave në stadium ishin të mbushura me shikues të Kroacisë dhe gjysma me përkrahës të Shqipërisë. Të gjithë ishin të bashkuar dhe ishte e jashtëzakonshme”, u shpreh ndër të tjera Arbër Hoxha në intervistën e tij për faqen zyrtare të klubit.