Thu, Jan 15, 2026

Emocionohen miliona fansa! Harry Styles rikthehet me album të ri pas katër vitesh

Emocionohen miliona fansa! Harry Styles rikthehet me album të ri pas katër vitesh
  • PublishedJanuary 15, 2026

Harry Styles ka konfirmuar zyrtarisht rikthimin e tij në skenën muzikore pas katër vitesh mungesë, duke emocionuar miliona fansa në mbarë botën përmes një njoftimi të bërë në rrjetet sociale.

Këngëtari 32-vjeçar publikoi në Instagram kopertinën e albumit të tij më të ri, i titulluar “Kiss All the Time. Disco, Occupationally”, i cili përmban 12 këngë dhe pritet të publikohet më 6 mars. Në imazhin artistik, Harry shfaqet duke kërcyer nën një top diskoteke, me syze dielli, në një atmosferë retro që lë të kuptohet për një frymë disko dhe ritme energjike në projektin e ri.

Ky njoftim vjen pas një fushate misterioze promovuese, e cila ka zgjuar kureshtjen e fansave në disa qytete evropiane. Postera me fraza si “Ne i përkasim njëri-tjetrit” dhe “Shihemi shumë shpejt”, të marra nga tekstet e këngëve të tij, janë shfaqur në rrugë, duke paralajmëruar në heshtje rikthimin e shumëpritur të artistit britanik.

Publikimi i albumit të ri shënon kapitullin e katërt në karrierën solo të Harry Styles, i cili fillimisht u bë i famshëm si anëtar i grupit të suksesshëm One Direction. Pas shpërbërjes së grupit, ai nisi një rrugëtim të suksesshëm individual, duke lançuar albumin e tij të parë solo “Harry Styles” në vitin 2017.

Suksesi vazhdoi me “Fine Line” në vitin 2019 dhe më pas me “Harry’s House” në vitin 2022, album që e çoi në majat e klasifikimeve ndërkombëtare me hite të mëdha si “Sign of the Times”, “Lights Up”, “Watermelon Sugar” dhe “As It Was”.

Rikthimi i tij pas katër vitesh me një projekt të ri pritet me entuziazëm të madh nga publiku dhe kritika, ndërsa “Kiss All the Time. Disco, Occupationally” duket se do të shënojë një tjetër fazë artistike për Harry Styles, me një stil të ri vizual dhe muzikor që tashmë ka nisur të ngjallë kuriozitet në mbarë botën.