Gjykata e Lartë rikthen çështjen Zarka për rishqyrtim në Apel
Gjykata e Lartë vendosi të enjten, më 15 janar, prishjen e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me çështjen penale ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i akuzuar për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Auris”.
Vendimi erdhi pas rekursit të ushtruar nga Zarka dhe SPAK kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, që prishi vendimmarrjen e Shkallës së Parë dhe e riktheu për gjykim çështjen, pasi çmoi se provat tregojnë se të pandehurit në këtë çështje kishin vepruar në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni, vendosi në dhomë këshillimi prishjen e vendimit të Apelit dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim në po këtë gjykatë, por me tjetër trup gjykues.
Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Klodian Braho, u pajtuan me vendimin e Shkallës së Parë, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, e dënoi ish-prokurorin Aurel Zarka me 2 vjet e 8 muaj burg. Ata nuk ushtruan ankim në Apel, por ishte vetë Zarka, i cili këmbënguli në pafajësi dhe e apeloi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Apeli i Posaçëm shkoi më tej, duke e gjetur të gabuar cilësimin nga ana e SPAK-ut dhe tre gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për mënyrën e bashkëpunimit të Zarkës me tre të bashkëpandehurit dhe me persona të tjerë që nuk janë marrë nën hetim. SPAK dhe Shkalla e Parë vlerësuan se bashkëpunimi ishte i thjeshtë me rrethana rënduese.
Por, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, provat dhe rrethanat tregojnë qartë se katër të pandehurit Aurel Zarka, Erjona Daupaj, Radovan Çela dhe Astrit Vladi kishin vepruar si grup i strukturuar kriminal.
Apeli vlerësoi se në të pestë rastet e kryerjes së veprave penale nga i pandehuri Zarka kanë bashkëpunuar respektivisht jo më pak se 3 dhe 4 persona, duke përmbushur parashikimet e pikës 4 të nenit 28 të Kodit Penal, lidhur me grupin e strukturuar kriminal.
Prokurori Zarka dhe personat e tjerë të pandehur akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar, si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.
Interesi kryesor i të pandehurve duket se lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Auris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove “cash” të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.
Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.
Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin – vëllain e Elvis Vladit, dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj.
