Sun, Jan 18, 2026

Goditet në Tiranë një skemë mashtrimi që premtonte investime në kriptomonedha

Goditet në Tiranë një skemë mashtrimi që premtonte investime në kriptomonedha
  • PublishedJanuary 18, 2026

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të dielën më 18 janar rezultatet e një operacioni ndaj një grupi të strukturuar kriminal që kishte krijuar një skemë call center, përmes së cilës dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe evropianë, për investime në kriptomonedhave të ndryshme.

Sipas SPAK, hetimi ka filluar më 9 janar pas paraqitjes së materialeve nga ana e gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”. Nga hulumtimi gazetarëve është bërë e mundur të identifkohet një qender thirrjesh në zemër të Tiranës, me vendodhje në katin e nëntë e të 13 të ndërtesës luksoze “Atti Toëer”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodoks.

Ingestigimi i emisionit “Le Iene” ka marr shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë, të cilët jane mashtruar nga qendra e thirrjeve. Gazetarët kanë mundur të infiltrojnë një shtetas italian, i cili ka nisur të punojë aty dhe ka realizuar regjistrimin e të dhënave në ambientet e qendrës.

“Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese”, citohet në njoftim dhe nënvizohet se veprimtaria e paligjshme ka qenë e mirëorganizuar, ku puna dhe rolet ishin të ndara për secilin prej anëtarëve të këtij grupi. Stafi operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Pas fillimit të hetimit penal, Byroja Kombëtare e Hetimit po ashtu ka konstatuar se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur dhe një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por kishin rekrutuar edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj qendre.

Sipas prokurorisë, ka indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 janar, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i qendrës së thirrjeve.

SPAK bënë me dije se ka identifikuar personat dhe automjetet e përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga call center. Materialet janë transportuar gjatë natës drejt një tjetër mjedisi të marrë me qira në një prej kullave të tjera në qendër të Tiranës, konkretisht në “Downtoën One”, në bulevardin Bajram Curri. Me urdhër të SPAK, është kryer ndalimi personave që kanë realizuar transportin e materialeve gjatë orëve të natës. Pas kapjes së tyre është kryer kontroll dhe në kullën tjetër, në katin e pestë të së cilës është konstatuar një tjetër qendër thirrjesh në dnërtim e sipër. Aty janë gjetur pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. të ndaluarve u është gjetur dhe një kosh mbeturinash ku janë gjendur sende që do të asgjesoheshin.

Në total janë ndaluar tetë persona për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë.

në njoftim sqarohet se gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente si, banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, e dokumente që u përkasin qendrës së thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk, si dhe disa subjekteve të tjerë në proces verifikimi. Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, mes të cilëve dhe një luksoz i markës “Ferrari”, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Në përfundim SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes qendrave të thirrjeve, si dhe bënë apel për punonjësit e këtyre qendrave, që të ndërgjegjësohen dhe të mos bëhen pjesë e këtyre veprimtarive të paligjshme.