“Do të të dua dyfish”/ Mesazhi prekës i Selvije Jaos për ditëlindjen e Roelit
Një mesazh prekës ka emocionuar ndjekësit në rrjetet sociale. Selvije Jao, bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka ndarë një dedikim mjaft emocional me rastin e 4-vjetorit të lindjes së djalit të tyre, Roel. Kjo ditëlindje shënon një moment të veçantë dhe të dhimbshëm për familjen, pasi është hera e parë që vogëlushi e feston pa praninë fizike të të atit.
Shpat Kasapi u nda nga jeta papritur më 26 nëntor të vitit të kaluar, duke lënë pas një boshllëk të madh tek të dashurit e tij.
Përmes një postimi në Instagram, Selvija shprehu dhimbjen dhe mallin e thellë, duke rrëfyer se do të kishte dashur që Shpati të ishte aty për të përqafuar djalin e tyre, me duart plot dhurata, si çdo prind në një ditëlindje. Në vend të kësaj, Roeli e përjetoi këtë përvjetor duke parë fotografinë e babait të tij.
Selvije i bën një premtim të ndjerë të birit, duke theksuar se do të jetë gjithmonë pranë tij dhe do ta mbështesë në çdo hap të jetës.
“Biri im, mami është këtu për të të dashur dyfish dhe për të të mbajtur fort,” shkroi ajo, ndërsa shtoi se beson se Shpati e mbron dhe e do Roelin nga qielli.
