Sat, Jan 24, 2026

Të dashuruar pas Ancelottit, Brazili i ofron kontratë të re, miliona euro për italianin

Të dashuruar pas Ancelottit, Brazili i ofron kontratë të re, miliona euro për italianin
  • PublishedJanuary 24, 2026

Në fillimin nuk e dëshironin, kjo pasi ishte trajneri i parë i huaj që drejtonte ekipin përfaqësues, por tani në Brazil të gjithë janë të dashuruar pas Carlo Ancelotti-t, aq sa i kanë ofruar menjëherë rinovimin e kontratës. Ancelotti ka një kontratë me 5 herë kampionët e Botës deri në 2026, më saktë deri në përfundim të Botërorit “FIFA2026”, por drejtuesit e Federatës Braziliane të Futbollit janë të kënaqur nga puna që ka bërë tekniku italian duke i ofruar një kontratë të re deri në 2030.

Ancelotti është larg Brazilit këtë periudhë, duke kaluar një kohë të gjatë mes Kanadasë dhe SHBA, por kjo nuk i ka penguar palët të negociojnë në distancë. Sipas mediave braziliane, Ancelotti ka dhënë pëlqimin e tij për të rinovuar kontratën deri në 2030, për të mbyllur në këtë mënyrë një cikël të plotë, të drejtojë Brazilianin edhe në Botërorin e radhës.

Ancelotti pritet të përfitojë nga kontrata e re 10 milionë euro në vit, plus bonuse të ndryshme, plus 5 milionë euro automatikisht nëse fiton një Botëror gjatë kësaj periudhe.