Drita fituese e Superkupës, mund Prishtinën në finale
Drita ka fituar Superkupën e Kosovës duke e mposhtur Prishtinën, me rezultat 2:1. Ky është trofeu i dytë i Superkupës në histori për skuadrën gjilanase, pas suksesit të saj të parë në edicionin 2018/2019, kur edhe atëherë kishte mposhtur të njëjtin kundërshtar.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Mardan Sports Complex” në Antalya të Turqisë, atje ku të dyja skuadrat janë duke e zhvilluar fazën përgatitore për stinorin pranveror. Prishtina, fituese aktuale e Kupës së Kosovës, kaloi e para në epërsi në minutën e 8-të me golin e Leotrim Kryeziut. Besnik Krasniqi barazoi rezultatin në 1:1 për Dritën në minutën e 39-të nga penalltia. Në fund të pjesës së parë, Prishtina mbeti me një futbollist më pak pasi Harun Kariq u ndëshkua me karton të kuq për pengim të një kundërsulmi të shpejt të Dritës.
Golin vendimtar e të fitores (2:1), e shënoi Kristal Abazaj në minutën e 50-të, me gjuajtje me kokë, duke i dhënë Dritës trofeun e Superkupës.
Trofeun e Superkupës Besnik Krasniqit dhe Faton Malokut ia dorëzoi presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa medaljet për ekipet u ndanë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe drejtori i sportit në Komunën e Prishtinës, Kushtrim Mushica.
